Presidenti serb Aleksandër Vuçiç tha se nuk është optimist se mund të gjendet një zgjidhje kompromisi për tejkalimin e krizës në veri të Kosovës. Ai ka theksuar se Albin Kurti mund të bëjë çfarë të dojë sepse ka mbështetjen e Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe dhe sipas tij, Përfaqësuesi i Lartë për Politikën e Jashtme, Josep Borrell, nuk mund të bëjë asgjë për këtë.
Presidenti serb tha se shpallja e zgjedhjeve në veri të Kosovës “paraqet dëshirën për të shkaktuar rrëmujë dhe kaos, në të cilin përkrahje ka edhe Prishtina”. Vuçiç tha se në këtë moment nuk sheh kompromis sepse “Prishtina refuzon të sillet në mënyrë racionale dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”.
Këto deklarata, Presidenti serb i ka bërë para gazetarëve, pas takimit që pati me Borrell në Paris. Sipas tij, përfaqësuesit evropianë nëse dëshirojnë mund t’i japin kushte Prishtinës, por shton se nuk do ta bëjnë këtë gjë.
“Është foshnja dhe fëmija i tyre që po kujdesen. Është e qartë se gjermanët janë ata që u ofrojnë mbështetje për të gjitha aktet ilegale si dhe Britania e Madhe që është jashtë Bashkimit Evropian”, tha Vuçiç.
Vuçiç tha se Borrelli dhe i Dërguari i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak i kanë treguar se çfarë kanë biseduar më herët sot me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti , dhe ka shtuar se ata nuk kanë qenë optimistë pas asaj bisede.
“Çfarëdo që të bëjë Kurti, ai do të ketë mbështetjen e Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe… Serbia nuk do të heqë dorë nga Kosova, por ne duhet të gjejmë një zgjidhje kompromisi”. A dëshiron Britania të heqë dorë nga Skocia, nuk do ta bëjë”, tha Vuçiç, raporton Nova.rs.









