Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari ka shpallur non grata “person i padëshiruar në Republikën e Shqipërisë”, për një periudhë 15-vjeçare Igballe Hudutin (Berisha).
Sipas tij vendimi bazohet në informacionet e grumbulluara, sipas së cilave, veprimtaria e kësaj shtetase vlerësohet si kërcënim për vendin, sigurinë kombëtare, si dhe rendin e sigurinë publike.
Urdhri i Ministrit të Brendshëm Lamallari i është dërguar për zbatim Policisë së Shtetit dhe strukturave të Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit.
Gjatë ditës së sotme edhe kryeministri Edi Rama pati një reagim ndaj saj, lidhur me përfshirjen në protestat në Tiranë. Igballe Huduti (Berisha) është shfaqur publikisht krah ish-presidentit të Iranit, Mahmud Ahmandinexhad.
“Shikojini vetë dy fotot. Është i njëjti personazh i ardhur me karvanin e “diasporës” së shtirur, që në emër të Allahut predikon urrejtje, thërret për kryengritje ndaj qeverisë së Shqipërisë, kërkon hakmarrje ndaj Amerikës për vëllaun e vrarë, kasapin e regjimit të Teheranit, gjeneralin famëkeq Kasem Sulejmani.
Dhe po, personazhi në krah të saj është Ahmedinegjadi dora vetë, kryeshërbëtori famëkeq i ajatollahëve të errësirës”, shkruante kryeministri.
Igballe Huduti foto me ish-presidentin e Iranit, Rama: Ajo predikon urrejtje









