Dërgimi në Gjykatën Kushtetuese nga PD përmes Oerd Bylykbashit i vendimit për portin e Durrësit ka sjellë irritimin e Edi Ramës.
Kryeministri i është përgjigjur Sali Berishës, Ilir Metës dhe zërave të tjerë opozitarë për akuzat lidhur me kompanitë që do të ndërtojnë Portin e Durrësit.
Ai mbron kompaninë duke futur si garanci edhe emrin e sheikut Muhammed Bin Zayed. Sulmet i cilëson turp dhe poshtërsi e madhe në dëm të interesit të vendit.
“Akuzat haluçinante kundër një kompanie ardhja e së cilës është përveç të tjerash një imazh i ri fitues i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, janë tallja e radhës me ata shqiptarë që akoma i ndjekin pas këta të shitur, pa fe, pa atdhe, pa din e as iman…
Synimi i këtij sulmi të dëshpëruar është pengimi i këtij investimi të madh transformues për Durrësin dhe gjithë Shqipërinë, përmes intimidimit të një prej kompanive flamur të Emirateve të Bashkuara, të cilën e kemi sjellë me mbështetjen e Presidentit, Sheikh Muhammed Bin Zayed.
Sulmi haxhiqamilist i Aleancës së Rublave dhe bedelave të saj kundër projektit të Portit Turistik të Durrësit është një turp dhe një poshtërsi e madhe në dëm të interesit të vendit, ndërkohë që tërbimi shpifarak është prova se i kanë bërë vetë tërë pisllëqet që akuzojnë” shkruan ai.
Sali Berisha njoftoi sot se përpos dërgimit të çështjes në Kushtetuese, po përgatitet edhe ngritja e komisionit hetimor parlamentar për portin e Durrësit.









