Një zyrtar i gjyqësorit në Iran tha se 11 persona, përfshirë një grua, janë akuzuar për vrasjen e një anëtari të forcave paramilitare Basij, gjatë një ceremonie javën e kaluar.
Incidenti ndodhi më 3 nëntor në Karaxh, kryeqytetin e provincës Alborz, kur qytetarët po nderonin Hadis Najafin, duke u mbledhur pranë varrit së tij për të shënuar 40 ditë nga vrasja e tij gjatë protestave mbarëkombëtare që u nxitën nga vdekja në paraburgim e Mahsa Aminit.
Shefi i gjyqësorit në Alborz, Fazeli Harikandi, e identifikoi anëtarin e grupit Basij si Ruhollah Ajamian dhe tha se ai u vra nga “protestuesit”.
“Protestuesit e sulmuan këtë oficer të sigurisë, i cili ishte i paarmatosur. E zhveshën dhe e goditën me thika, e rrahën, e goditën me gurë, e goditën me shkelma, e tërhoqën zvarrë nëpër rrugë në një mënyrë të tmerrshme”, tha Harikandi.
Ngritja e aktakuzave erdhi pas nisjes së hetimit për këtë ngjarje. Sipas agjencisë së lajmeve Mizan, në rrjetet sociale u postuan imazhe që tregonin “një grup protestuesish duke e sulmuar dhe vrarë” Ajaminin.
Harikandi tha se të akuzuarit përballen me akuza që dënohen me vdekje./REL