Kreu i Partisë së Lirisë ka reaguar një ditë pas protestës së thirrur nga ish-kryeministri Berisha para Kryeministrisë.
“Shqipëria u përket të rinjve!”, shkruan Meta në një postim në Facebook.
Ai e shoqëroi me një foto të tij teksa iu drejtua protestuesve gjatë tubimit.
“Pyetjes aq të ndjerë të udhëheqësve tanë fetarë se kujt do t’ia dorëzojmë këtë tokë të bekuar, sot i kemi dhënë përgjigjen: Askujt përveç të rinjve dhe të rejave tona”, tha Meta gjatë protestës në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Kujtojmë se dje, ish-presidenti Ilir Meta u shpreh se protesta e riktheu shpresën e qytetarëve për shpëtimin e Shqipërisë. Kryetari i partisë së Lirisë tha se në shesh ishin qindra mijëra qytetarë.
“Falënderim shumë të përzemërt për qindra mijëra qytetarë të lirë dhe plot dinjitet, që sot morën pjesë në protestën, që riktheu shpresën për shpëtimin e Shqipërisë tonë të bekuar” shkroi ai.
Tubimi sonte zgjati tre orë dhe u mbyll me një incident në fund, ku disa qytetarë çanë kordonin e policisë dhe sulmuan Kryeministrinë me bojë.