Situata në veri të Kosovës do të jetë temë diskutimi në takimin e sotëm të Këshillit të Ministrave të BE-së në Bruksel. Për zhvillimet e fundit dhe gjendjen aktuale në pjesën veriore të Kosovës, para ministrave të BE-së do të raportojë Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell.
Punimet e Këshillit do të jenë të shtrira në dy ditë, më 14 dhe 15 nëntor, ndërsa do të diskutohen edhe tema të tjera. Takimi fillon në ora 10:00 dhe mbahet në Bruksel.
Borrell do të raportojë para ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian edhe për takimet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, në Paris.
Pas takimeve që pati me liderët e të dy vendeve, Borrell deklaroi se serbët e Kosovës duhet të kthehen menjëherë në institucionet e Kosovës dhe të rifillojnë detyrat e tyre, ndërsa Kosova duhet të harmonizojë veprimet e saj në lidhje me targat dhe të fillojë negociatat për themelimin e Asociacionit pa vonesa.
“Këto zotime, të ndërmarra në kuadër të dialogut, mbeten të vlefshme dhe të detyrueshme”, ka thënë Borrell, sipas një njoftimi për shtyp të BE-së të premten.
Gjatë takimeve, ai gjithashtu ka theksuar se të dyja palët duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive, të tregojnë gatishmëri për kompromis dhe të respektojnë detyrimet e tyre në dialog.