Të dashur demokratë e demokrate! Siç e dini, ne jemi partia e Dhjetorit 1990, përmbysëse e diktaturës më të egër në Evropë, ne jemi sjellësit e demokracisë pas pesëdhjetë vjetëve errësirë, dhunë e terror. Ne jemi ata që përmbysëm etërit mizorë (Pa zë: “ah sa i kam dashur unë dikur ata pleq hijerëndë!”), por ne jemi ata që do të përmbysim edhe bijtë e etërve, Edvin Kristaq Ramën dhe narkoshtetin e tij.
Kjo situatë e krijuar në Shqipëri nuk mund të durohet më prandaj, jo vetëm demokratët por gjithë shqiptarët e ndershëm, edhe socialistët e ndershëm (me mendje: të gjithë ata që më ndjekin mue janë të ndershëm) do të bashkohemi për t’i dhënë dermën regjimit të kleptokracisë. Dhe, mos harroni se ashtu siç bëmë Revolucionin e Dhjetorit 1990 (dëgjuesit: “Ha, ha, haaa!) do të bëjmë edhe revolucionin e sotëm.
Demokracia na asht besue vetëm ne dhe vetëm ne mund ta zhvillojmë atë, ashtu siç kemi veprue tash 32 vjet. Partia Demokratike është sot më e besueshme se kurrë më parë (Ufff!), po aq edhe më shumë se në vitin 1991, ndërsa unë kam sot epërsinë morale më të madhe se kurrë më parë (Po, po, poooo!) Partia Demokratike nuk e meriton të rrijë në opozitë asnjë ditë. Ajo është e shkuara, e sotmja dhe e ardhmja.
Në Shqipëri është instalue një regjim sorosian, antishqiptar dhe i korruptue, më i korruptuemi në botë. Këtij regjimi ia ka zgjatur jetën besëthyeri dhe sharlatani Lulzim Basha, për zgjedhjen e të cilit si kryetar partie unë kërkoj ndjesë sepse i pata thënë Edi Palokës dhe shumë paloqeve të tjerë t’i manipulonin votat për zgjedhjen e tij (Dëgjuesit: “Uuuuu! Pse, nuk paska funksionuar procesi demokratik në partinë “e vetme” demokratike?!!!).
Në Shqipëri është instalue narkoshteti. Ligjin e bën krimi dhe kriminelët. Shqipëria është sot vendi më i rrezikshëm në Ballkan dhe, madje, edhe në Evropë (Kujtoi në çast, por nuk i dha zë: Instituti Ndërkombëtar i Ekonomisë dhe Paqes e rendit të 41-n midis 163 shteteve. Ç’ka më duhet mue, këta duhet të jenë të Sorosit!).
Tani, unë i them Edvin mafies të dorëzohet, ta lërë pushtetin dhe të ikë nga sytë-këmbët. Edvin! Merre si mëshirë që po të kërkojmë vetëm të largohesh nga pushteti sepse ti meriton ose burgun, ose fatalitetin. Të jesh i bindur se do të të krehim në Lanë… Ik shpejt se nuk do të vijnë marinsat amerikanë, do të vijnë rambot e demokracisë nga Mamurrasi, Bushati e Lazarati dhe me lecka do të të krehin nga ajo zyrë, si dikur Fatos Nanon. Vrimë miu nuk do të gjesh të futesh! Ne jemi demokratë, jemi paqësorë; kështu kemi qenë gjithmonë. Ne besojmë në vlerat e paqes e lirisë…
Dëgjoje zërin e Çadrës sepse Çadra përfaqëson të ardhmen. Edvin! Mos i rri larg zgjidhjes politike se alternativë do të kesh vetëm zgjidhjen fatale. Po, po, të pret fataliteti ty kryekriminel dhe tradhtar! Unë kujtoj me respekt dhe nderim të gjithë deputetët e Parlamentit shqiptar të zgjedhur me votime të lira, të drejta e të ndershme në maj 1996. Ne luftojmë për Shqipërinë e votës së lirë kurse Edi Rama lufton për Shqipërinë e karriges së tij.
Ne nuk e duam pushtetin për vete por për t’ia kthyer popullit sepse ia ka rrëmbyer neobllokmeni. Për 110 vjet të shtetit shqiptar, askush nuk ka vjedhur sa Edi Rama (Me vete: “sa keq, ma ka kalue! se unë duhet të jem kudo dhe kurdoherë në vendin e parë). S’ka dyshim se Edi Rama është armik. Ai që dhunon votën e qytetarëve është armik i lirive të qytetarëve të tij ( Hmmm! Ju flet ideuesi dhe drejtuesi i zgjedhjeve të 26 majit 1996, i shpallur non-grata si minues i demokracisë?!).
I them Edi Ramës, mos luaj me fatet e pluralizmit se po të pret fati i paraardhësve të tu (Ouu! Mos po kuptohet se e dashka me ndenj Ramën 45 vjet në pushtet!). Të ngrihemi në protesta e t’i rrëzojmë. Këta marrin vesh vetëm gjuhën e forcës. Nuk ka gjuhë tjetër që shkon me këta bastardë. Po qe nevoja do të rrëmbejmë edhe armët. Po, po edhe armët. Po të them unë ty… Jo, po më thuej ti mue! Nuk rrëzohet ndryshe narkoshteti.
Gjithë Perëndimi është me ne dhe do të na përkrahë (ashtu si në 14 shtator 1998). Me një vendim të padrejtë dhe të falsfikue Sekretari Blinken (e kujton Foreign Office, por nuk e shqipton) më ka shpallur person non-grata. E sfidoj atë dhe së shpejti gjykata franceze do e dënojë z. Blinken për shpifje kundrejt personalitetit tim. Jam Sali Berisha unë oreeee! Unë vdes për Amerikën dhe së bashku me ta kemi punue dikur për rrëzimin e komunizmit prandaj ky vendim i padrejtë më ka nervozue sepse më ka prekë nderin dhe dinjitetin tim.
Ky vendim është i përkohshëm dhe ka ardhë si rezultat i lobimit të kriminelit Edvin Rama dhe antishqiptarit Xhorxh Soros sepse unë i kam pengue për ndarjen e Kosovës sipas planeve Ruso-Serbe. Kohët e fundit jam vu në dijeni nga qytetari dixhital dhe disa miq të mitë dixhitalë në SHBA se edhe Lulzim Basha ka lobue kundër meje. Po, po! Ju them unë ju. Unë ju garantoj ju se së shpejti do të zbulohen të gjitha planet e tyre kundër meje. Ndihem i fyer sepse e konsideroj veten antikomunistin më të madh në Shqipëri e, madje edhe në Ballkan.
Unë kam qenë i shtypur dhe pa dinjitet përpara 1990 prandaj u ngrita kundër regjimit gjakatar të Hoxhës. Ah sa e kam urryer unë Enver Hoxhën dhe familjen e tij! Për këtë kam fotografi dhe dëshmi të tjera historike të pakontestueshme. Të dashur shqiptarë e shqiptare! Sot është koha për një revolucion të dytë, për të rikthyer demokracinë e nëpërkëmbur nga Edvin Droga dhe sekti i Rilindjes, për të rivendosur demokracinë e vërtetë, domethënë atë që patëm vendosur ne në vitet ’90 dhe 2000.
Dikush më ka akuzue për vrasjet e 21 janarit. Pse, çfarë prisnit ju, t’i dorëzonim pushtetin Edvin Kristaq Ramës? Ne vetëm kemi zbatuar ligjin. Më vjen keq t’ju them por ata morën atë që meritonin. Po, po, kushdo që iu afrohet mureve të zyrave të mija do të ketë të njëjtin fat, edhe sikur të vriten 300 apo 3000. Kushdo që do të rrethojë qoftë edhe një postë policie, do të asgjësohet pa paralajmërim.
Nëse do i afroheshin zyrave të mija përsëri, përveç katër snajperave, Sali Berisha do të ishte snajperi i pestë. Edi Rama do të asgjësohej në vend dhe unë do i bëja funeralin më madhështor në historinë e Shqipërisë. Ne jemi demokratë. Këtë s’e luen as topi. Pse qesh ti atje? Me kë flet ti? Po nëna dhe motra jote çfarë do të bëhen? Prostituta do të bëhen… Shiko, mos më bëj ashtu mue se unë të vras!… Po ti bushtër çfarë ke? Pse nuk ma jep fjalën mue në Parlament sa herë të due?… A e di ti i biri i kujt je? Po gjyshi yt kush ka qenë? Hëëë,.. halla jote… jo po ti ke pasur një dajë kriminel… Burri i tezes tënde ka qenë zyrtar i Sigurimit të Shtetit… Aaaa, jeni nostalgjikë të regjimit të etërve, jeni të parinovueshëm. Nuk keni shpëtim!… Mos më bëni ashtu mue se ja u ngrij buzëqeshjen në buzë. Më thonë Sali Berisha mue. More vesh apo jo?
Kjo protestë ka si synim mbrojtjen dhe rivendosjen e votës së lirë. Ne jemi krijue si parti e zgjedhjeve të lira dhe për këtë po sakrifikojmë sot. Për votën e lirë dhe për fjalën e lirë ia vlen çdo sakrificë dhe ne do e rikthejmë atë (Dëgjuesit: “Zot bëji ëndërr këto që po dëgjoj dhe vetë fantazmën që po i thotë!”). Unë nuk luftoj për pushtet personal. As në vitin 1990 nuk luftova për këtë (Me mendje: “shqiptarët nuk kanë kujtesë). Nuk kam qenë asnjëherë i apasionuar pas qëndrimeve të gjata në pushtet (Dëgjuesit: “vërtet e ke !!!”). Partia Demokratike është për fitore ose për vdekje. Rama si kryeministër e meriton ballit, jo vetëm bojën. Unë e kam deklarue dhe e deklaroj se kam qenë dhe jam kundër Reformës në Drejtësi e cila mbahet me paratë e Aldo Bareve dhe deri tani ka dështuar pasi ajo realizoi vetëm qëllimin e saj sorosian.
Sapo të vijmë në pushtet do ta çmontojmë dhe do të bëjmë një reformë të vërtetë në drejtësi, si ajo e viteve ’90. Përfundimisht, fitorja jonë është e afërt dhe e padiskutueshme. Rama dhe Basha janë të pashpresë. Unë ju pata thënë dikur se marrëveshja Rama-Basha ishte një marrëveshje e shkëlqyer, një fitore e shkëlqyer për PD-në, mirëpo kisha gabue sepse doli se ishte një marrëveshje hileqare, në dëm të PD-së dhe në shërbim të Ramës. Kot e kanë. Nuk do të ketë më kurrë marrëveshje! Ato që them unë s’i luen as topi.
Gjithçka ju kam thënë për Ramën janë të vërteta. Ju pata thënë dikur se Fatos Nano ishte hajdut, drogaxhi, bixhozxhi, vrasës i Azem Hajdarit etj., mirëpo ato ishin për efekte elektorale, sepse, siç e dini, më vonë zotin Nano e bëra mik për kokë. Nuk ishte dhe aq i keq shejtani, megjithëse nuk pranonte të na e lëshonte pushtetin falas në tavolinë. Siç mund ta kujtoni, në vitin 2014 ju pata thënë se “Për PD-në, Ilir Meta është njeriu që përfaqson klanin më të rrezikshëm të trafiqeve në Shqipëri, të trafikut të drogës, të trafikut të fëmijëve dhe të trafikut të vajzave të mitura.
Në historinë e vendit ky mbetet njeriu që me bandat e tij ngjiti Shqipërinë në krye të listës së vendeve të planetit, të trafiqeve të skllavërisë së seksit, fëmijëve, drogës dhe armëve. Mbi këta të dy, Ilirin dhe Monikën, rëndojnë dy varre dhe dy krime të fshehura pas Malit të Dajtit. Nuk do të jetë e largët dita kur Ilir Meta do ta mbyllë jetën e tij pas hekurave të burgjeve”.
Tani, duke parë se Shqipëria është në Rrezik, ne kemi krijuar Frontin e Shpëtimit Kombëtar dhe zotin Meta e kemi bashkëkryetar, prandaj do të shpalosë edhe ai idetë e tij të lirisë e demokracisë, për shpëtimin e Shqipërisë. I dashur popull i 2 marsit, 12 nëntorit, 32 dhjetorit e kështu me radhë. Unë jam Ilir Metaj, dhe jo Meta. Unë kam lindur për të rrëzuar diktatura dhe e kam për nder që kam lindur mbi 1000 metra mbi nivelin e detit. Unë nuk i harroj idealet e dhjetorit 1990. Kam qenë aty se isha kundër atij sistemi…
Për të dalë nga kjo krizë demokracie duhet përmbysje demokratike, një tjetër revolucion. Revolta dhe protesta jonë ka si synim kryesor luftën kundër korrupsionit (Dëgjuesit qeshin: Ha, ha, haaaa!) dhe rikthimin e lirisë së shqiptarëve. Ne do ua kthejmë pushtetin shqiptarëve (“Çfarë talljeje!- thonë edhe analistët e paguar prej tij). Ata duhet të na votojnë kurse ne do iu japim llogari (Dëgjuesit: “si deri tani, o lum miku!”). Gjithë veprimtaria ime 32 vjeçare ka qenë sakrificë sublime për atdheun dhe popullin shqiptar.
Në Shqipëri është instaluar narkoshteti dhe regjimi i krimit. Këtë gjë nuk e shohin vetëm Grupi i Strukturuar Diplomatik. Unë Amerikën e kam xhan. Edhe ambasadoren amerikane e dua shumë. Ja, po i dërgoj një të puthur nga larg… me qetësi e dashuri…
Nëse Amerika ka ndonjë gjë me mua, le të më vrasë, por të gjej kohën kur të jem pas Malit të Dajtit që të mos vrasë edhe të tjerë të pafajshëm (Me mendje: “siç ka bërë shumë herë në Lindjen e Mesme”)… Ah, ju lutem! Marrëdhëniet e mija me SHBA kanë qenë, janë dhe do të jenë të shkëlqyera. Për këtë nuk ka diskutim. Kemi pasur ndonjëherë ndonjë mosmarrëveshje por kjo ka ardhur si rezultat i ndikimeve qeveritare dhe të djalit të Kristaq Ramës. Por, unë i them Edi Ramës t’i bëjë mirë llogaritë. O vagabond! A e di se çfarë të pret? Ne jemi populli i Mujo Ulqinakut, jemi populli i Vojo Kushit (por, edhe i Haxhi Qamilit- thonë disa dëgjues). Ore vagabond! Kush është ky? Ky bën si i fortë. O lepurush! O spurdhjak! Dhe unë jam Ilir Rexhep Metaj (pse, jo Meta?!- pyesin pa zë disa). Me Sali Berishën kemi alkimi të përbashkët. Të më krahasojnë me Sali Berishën gjithë ditën, më bëjnë nder sepse ai është si Ronaldo, si vera që, sa më shumë kalon koha, bëhet më i mirë dhe më demokrat (këtë e kanë vërtetuar këto 32 vjet dhe e konfirmoi edhe statusi non-grata). Përpara për revolucion dhe rikthimin e lirisë e demokracisë.
Tani, si epilog ia vlen të dëgjohet figura shkëlqimtare e PD-së, mishërimi i moralit, idealeve dhe parimeve demokratike, zoti Edi Paloka: Azem Hajdari dhe Sali Berisha janë pjesa më e mirë e historisë tonë (dëgjuesit e heshtur: “merret me mend si janë pjesa tjetër”), të historisë së shqiptarëve gjatë 30 viteve pluralizëm. Nderimi i kësaj historie është detyrim ndaj vlerave dhe bazamentit të parimeve mbi të cilat duhet të ngrihet e ardhmja e këtij vendi (mos o Zot!- ofshajnë zemërpërvëluara nëna e djemve të vrarë dhe të zhdukur).
Respekt e nderim! Tani është e sigurt se PD nuk do hajë bar siç pati paralajmëruar ambasadorja amerikane, znj. Kim, por përshesh me çaj pasi e meriton.
Ajo e meriton Sali Berishën dhe duhet t’ia dijë për nder qeverisë amerikane që duke i treguar asaj partie vlerat e njeriut që e kishte drejtuar dikur, i frymëzoi edhe një herë thuajse të gjithë anëtarët e saj për t’u kthyer tek Baba, me parullat hipokrite: E duam Amerikën dhe i besojmë asaj, por më shumë duam babën. Jo për gjë, por sepse jemi kaq të etur për pushtet saqë, sikur edhe djalli të na e premtojë mundësinë e rikthimit (sa mëkat dhe dhembshuri!) jemi të gatshëm t’i shkojmë mbrapa. Nuk duhet harruar edhe vërejtja për zyrtarin e Departamentit të Shtetit që e cilësonte politikën berishiste si të para 200 vjetëve. Gabim! Kjo është politikë shumë më e vjetër. Është “politika” e Mujit e Halilit./ DITA