Protesta e së shtunës, e përgatitur prej disa muajve dhe nën trumbetimin e pazakontë, më në fund, kreu. Njerëzit erdhën, u mblodhën, më shumë nga rrethet e më pak nga Tirana, brohoritën radhët e para dhe heshtën ata nga fundi, dëgjuan folësit, në fund edhe dy shefat e tyre, Meta dhe Berisha, bënë pak nga rituali i zakonshëm, domethënë përplasjen e pakët me policinë, dhe shkuan. Në pamjen e jashtme kaq ishte. Një protestë si dhjetëra të tjera, më pak e zhurmshme nga veprat dhe më agresive nga fjalët, ku si gjithnjë nuk mungoi e përhershmja, se shefi i qeverisë do të përfundojë në burg, bile në një qeli të sigurisë së lartë. Herës tjetër do të mblidhen përsëri, rishtas më shumë nga rrethet, nëse i besojmë deri në fund shënimet e të deleguarve, dhe më pak nga Tirana, ku fiken edhe dritat, përsëri do të thuhen të njëjtat gjëra, mallkimi i qeverisë, shifrat financiare që po shkojnë drejt rrëzimit të shtetit dhe që pakkush i përmendi, ciklin e pafund të korrupsionit që nuk njeh rënie; më pas do ë shkojnë te selia e opozitës, ku njeriu që i mbledh tash 32 vite, është përsëri aty.
Po pastaj?
Berisha është ndoshta njeriu i vetëm ku njerëzit, pjesë e opozitës apo të lodhur nga qeverisja, mund të besojnë se do të përmbysë qeverinë.
Por, jo Berisha i vitit 2022, ai nuk e bën dot këtë. Mund ta bënte Berisha i vitit 1992, kur ishte ende enigmë, ngjallte shpresë, deklaronte disa parime që nuk ishin aq të dëgjuara në rrafshin politik shqiptar, dhe bluza e bardhë e mjekut kishte shpresën e ndryshimit.
Në jetë, si rrallëherë, politika të jep një shans për të bërë ndryshimin e madh. Berisha kishte shansin e madh të tij në vitin 1992; shqiptarët dhe Meta – i sapolarguar nga socialistët, me dëshirë apo me urdhër, tani askush nuk e di, i dhanë Berishës shansin e dytë. Pasi humbi shansin e parë tragjikisht, duke lënë pas mijëra viktima, humbi edhe shansin e dytë, përmes dy bëmave madhore tragjike, Gërdeci dhe 21 Janari.
Tani kërkon shansin e tretë. Njeriu që e ndihmoi në vitin 2005 është përsëri pranë tij, levë drejt pushtetit në dukje, në fakt fundi i pushtetit. Nëse në vitin 2005 mund t’i jepte një dorë, tani ai nuk ka duar për vete dhe nuk mund të bëjë as rolin e ndihmësit. Gjërat janë përmbysur. Meta është sinjali i humbjes, korbi i politikës që nuk sjell asgjë tjetër veçse krakramën e tij. Në vend që të nxjerrë, të përmbysë; ai nuk të ofron njeri, përkundrazi, të largon; nuk e duan as ata që e rrethojnë Berishën, në këtë rast më syçelur se shefi i tyre, por as e majta, nga ku është futur e larguar sipas rastit. Mjerimi i politikës sjell edhe mjerimin e ideve. Nëse opozita mendon se mund të vijë në pushtet përmes politikës së “thyerjes në mes”, atëherë ajo vetë është e thyer. Më tej se kaq, e përmbysur.
Gjithnjë ka pasur një përplasje mes të dhënave të opozitës dhe të shtetit për numrin e pjesëmarrësve në një protestë. Opozitës gjithnjë i janë dukur dhjetë mijë vetë si njëqind mijë; pushtetit i janë dukur si vetëm një mijë. Askush nuk ka pritur ndryshe. Sikur numri i atyre që vijnë është më i rëndësishëm sesa idetë që përcillen.
Protesta e së shtunës solli zhurmë dhe mëri, por jo ide dhe vizione. Kjo ka qenë gjithnjë e meta më e madhe e saj. Më shumë ka mallkuar, sesa ka ngritur podiumin e ideve të saj. Ka kërkuar lëçitjen e pushtetit, por jo ndërtimin e një pushteti ndryshe. Ka sjellë shembujt e së keqes, po treguar se si do të ndërtojë të mirën, ka thirrur në ndihmë burgun, por jo shpresën. Folësit e shumtë, e drejtë e saj për të ndërtuar një skemë trajtimi, mallkuan qeverinë, më shumë me kokë sesa me shpirt, pra duke e ditur se kjo ishte rrjedha e duhur për të qenë i pranueshëm; por përballë vetes, në rrjeshtin e parë kishin figurat që e kishin shembur shtetin, për të pasur pushtetin, që kishin qenë gjithçka e nuk kishin bërë asgjë; folësit dënuan pushtetin për varfërinë, por të pasurit i kishin aty, përballë vetes, të pandryshuar, të sertë kur u preket një fije pasuri, të gatshëm të bëjnë krimin për të ruajtur veten dhe ndërsa flisnin për mallkimin e zyrës kryeministrore dhe shefin e qeverisë, dy ish-shefa i kishin aty dhe që të dy, njëri pas tjetrit apo të dy së bashku, mjerisht, i kishin bërë gjëmën vendit.
Çfarë mund të thotë Ilir Metaj, nuk e di ende me siguri nëse ka qenë apo jo pjesë e Sigurimit të Shtetit, por prirja ime tani, ndryshe nga më parë, më çon drejt këtij mendimi; ka qenë, i cili në fillimin e rrugëtimit të tij politik ishte djalë i ri, bir komunisti, si shumë nga ish-studentët bashkëmoshatarë që u bënë pjesë e Lëvizjes së Dhjetorit, Sekretar i Komitetit të Rinisë së Fakultetit dhe ky ishte privilegj dhe shenjë e madhe besnikërie, i varfër në vitet e para të opozitës, që tani është njëri ndër sheikët e këtij vendi të varfër, që as vetë ai nuk e di pasurinë e fshehur. Ish-presidenti që mendon se njerëzit hanë bar, kur deklaron se fëmijët e tij në Londër mbahen ende me paratë e pallatit që nuk dihet se si e ndërtoi gruaja e tij, kur studimet e tyre në një vit dhe qëndrimi në Londër kushtojnë shumë herë më tepër; kur kunatin e dërgon të vjelë paratë e korrupsionit dhe dajallarët i ushqen me tenderë. Këtë duhet të besojnë njerëzit që janë pas tij? E vështirë, për më tepër, e pamundur.
Askush sesa Berisha nuk e ka akuzuar zotin Metaj për akte të rënda, deri në vrasje, grabitje, korrupsion; ashtu si askush tjetër nuk e ka akuzuar zotin Berisha sa Metaj. Një dyshe që në 32 vite kanë pasur aktet e tyre të dashurisë dhe të urrejtjes. Sikur Metaj të mos ishte në fushatën e vitit 2021, është krejt e mundur që raportet politike të ishin ndryshe. Por kjo është fushëpamja e opozitës, që si shumë vite më parë, gjenden nën të njëjtën okelio: të bashkohemi të gjithë ne, që njëri-tjetrin e kemi quajtur zuzarë, hajdutë, vrasës, maskarenj, të shitur, spiunë, gjëmë sjellës, që të përmbytim njeriun që qëndron përballë tyre, si të ishte vëllai i tyre siamez. Por më cinik, më i durueshëm, gërgasës, por jo goditës, më i qetë dhe në fund, përsëri më i besuar.
Protesta ishte akti final i Berishës, si dëshmi e botës së tij antiperëndimore. Në fakt, ky ishte edhe thelbi i ngritjes së tij. Gojëtar i fuqishëm, ai është i gatshëm të sjellë këdo buzë greminës, duke qenë vetë larg saj. I paarritshëm nga askush tjetër në tërbimin politik, ai nuk është nga ata njerëz të politikës që të tregon vetëm humnerën, por të shtyn drejt saj. Ndoshta si në asnjë protestë tjetër, të cilat kanë qenë të dhunshme dhe kanë mbaruar kur ka ardhur ora e gjumit e Bashës, në atë të së shtunës kishte mllef të pabesuar ndaj diplomacisë ndërkombëtare, sidomos amerikane, duke të sjellë ndërmend gjëmimet e para tri dekadave.
Në fakt ky është edhe lajtmotivi i gjithë ri ngritjes së Berishës në përmbysjen e Bashës dhe krijimin e një fronti antiperëndimor. Dhe kësaj here gjërat nuk u bënë dhe as nuk u thanë fshehtas, përmes nënkuptimit. Folësit e porositur, që për vete jetojnë jashtë Shqipërisë, sollën mallkimin e Departamentit të Shtetit, si e keqe e madhe që i ka rënë mbi kokë opozitës, bashkuar edhe me Soros, ndihmës të së cilit apo të ushqyer nga ai kanë qenë shumë nga opozitarët e tanishëm.
Edi Rama është ai që është. Qeverisja e tij nuk ishte ajo që pritej. Zhgënjimi do të ishte më i ndjeshëm, më i furishëm dhe më i prekshëm nëse opozita nuk do të kishte në radhën e parë dy figura të politikës që janë provuar e kanë rënë, janë provuar përsëri e kanë rënë përsëri dhe që tani kanë shpallur luftën e tyre të “shenjtë” kundër shpresës shqiptare – mbështetjen perëndimore.
Vërtet mendon dikush se gjërat janë kaq të lehta dhe të parëndësishme në politikë. Kaq e lehtë është të mallkosh, të shpallesh ‘non grata’ nga dy fuqitë më të ndjeshme autoritare perëndimore, të izolohesh nga europianët, edhe në struktura partiake politike, të jesh i vetmuar, të mos të hapë derën askush, edhe kur je president, e jo më kur as 4 për qind e popullit nuk të beson, të besosh se je Mic Sokoli apo do të vrasësh veten si Allende, të kërcesh mbi tank si Vojo Kushi, apo t’i mbushësh mendjen vetes se je lideri i gjithë kombit?
Në politikë lufta bëhet përmes mendjes dhe në pushtet vjen përmes vizionit. Mund të bësh dhjetëra e dhjetëra emisione televizive, t’i japësh forcë vetes dhe të mbushësh mendjen e shefave se protesta ishte sukses i madh, se e dërmuan Edi Ramën, kur ai pi verë me Macron në Paris, por e vërteta është ndryshe.
Njerëzit, të shtunën, u kthyen në shtëpitë e tyre. Ishin nisur me një fije shpresë, ktheheshin pa shpresë. Sot, të hënën, do të dalin në punë. Hallexhinj, të pashpresë, besnikë të opozitës, por të lënë në rrugë, me besimin se diçka do të ndryshojë në votimet vendore të vitit të ardhshëm.
Në të njëjtën kohë, ose pak më herët, Edi Rama do të shkojë në zyrën e tij. Ministrat, po ashtu. Do të planifikohen tenderë të tjerë, bilance të tjera, do të bëhen marrëveshje, të fshehta e të hapura, borxhi publik do të rritet, të rinjtë do të largohen, pleqtë do të plaken edhe më shpejt, nga pajetesa.
Nuk mund të bësh opozitë me liderë të lodhur nga ajo që kanë mbi shpinë. Për fat të keq ajo peshë është e rëndë dhe nuk i hiqet më. Sepse, mjerisht, ka edhe shenja të shumta gjaku./ DITA