Ditën e sotme në Tiranë ka nisur zyrtarisht edicioni i 25-të i Panairit të Librit. Motoja kryesore e këtij panairi i cili po mbahet në mjediset e Pallatit të Kongreseve është: “Jemi të gjithë lexues”.
Këtë vit, Panairi do të mbahet nga data 16 deri me 20 nëntor.
Problematika që prin listën e ankesave nga botuesit këtë vit është rritja e çmimit të letrës. Kjo do të sjellë një shtrenjtim të mëtejshëm të çmimit të librit, që konsiderohet produkt luksi në kohë krize.
Kërkesa për ulje takse është një refren që shtëpitë botuese e përsërisin në panair çdo vit. Një problematikë tjetër në treg, të cilën e pohojnë njëzëri botuesit, është mungesa e investimit në librari.
Organizatorët bënë me dije se gjatë këtij edicion do të marrin pjesë 100 botues duke përfshirë edhe botuesit nga vendet fqinjë si Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.
Sipas SHBSH-së, përveç ekspozimit dhe shitjes së librit, do të ketë edhe shumë aktivitete tjera për librin, si takime letrare, promovime e diskutime të ndryshme si dhe nuk do të mungojnë edhe emra të njohur.