Ditën e sotme në komisionin e veprimtarisë prodhuese u diskutuan ndryshimet në Kodin Rrugor lidhur me gjobat, postblloqet, por edhe parkingjet.
Deputeti demokrat, Lefter Gështenja kërkoi që në kod të përfshihet ndarja në mënyrë të barabartë e hapësirës së parkimit mes privatit dhe publikut.
“Nuk mund të ketë në rrugët kryesore nuk mund të ketë parkingje më shumë se 50% me pagesë, ç’ka do të thotë rrugët kryesore ku vendoset tabela parking me pagesë duhet të ndahen minimalisht 50 me 50%, ku 50% ti takojnë publikut parkingje pa pagesë dhe 50% e këtyre parkingjeve të jenë me pagesë”, tha Lefter Gështenja.
“Unë besoj që ne jemi dakord me këtë propozim. Unë kam marrë mendimin edhe të disa përfaqësuesve të bashkive të Shqipërisë por në mënyrë të veçantë bashkisë së Tiranës, ndarja 50 me 50% është krejtësisht normale, është edhe në detyrën e tyre për ta realizuar këtë gjë”, u shpreh Arben Pëllumbi duke e pranuar.
Por, palët nuk gjetën dakordësi nëse kjo gjë duhet të aplikohet sipas zonave apo rrugëve. Për këtë u vendos që në mbledhjen e radhës të thërriten edhe përfaqësues të bashkive.
Grupi i Enkelejd Alibeajt brenda PD-së ka depozituar propozimet në komisionet parlamentare për ndryshimet në Kodin Rrugor, që pritet t’u bashkëngjiten atyre te Taulant Ballës për të kaluar në Kuvend me shumicës.
Mes propozimeve të parashtruara ka qenë ulja e vlerës së gjobave për shoferët me 50 % të vlerës së përcaktuar në Kodin rrugor, pasi pretendohet se në vendin tonë shifrat e masave administrative janë shumë të larta. Po ashtu kërkohet heqja e postblloqeve të policisë.
Alibeajt çon propozimet në Kuvend: Ulni gjobat, hiqni postblloqet e policisë