Gjermania i ka ofruar Polonisë sisteme mbrojtëse, Patriot dhe Eurofighters, për mbrojtje të hapësirës ajrore.
Kështu u tha mediave gjermane, ministrja e Mbrojtjes, Christine Lambrecht.
“Brenda aleancës, ne duhet të pozicionohemi edhe më mirë sa i përket mbrojtjes ajrore, dhe kjo vlen veçanërisht për Poloninë, Sllovakinë dhe vendet baltike”, tha ajo.
Ministri polak i Mbrojtjes, Mariusz Blaszczak ,tha se ai e pranoi ofertën e Gjermanisë për raketa shtesë Patriot, dhe tha se do t’i vendosin ato pranë kufirit me Ukrainën.
Më 14 nëntor, dy polakëu vranë kur një raketë goditi një depo gruri në fshatin Pzhevoduv, vetëm 6 kilometra nga kufiri me Ukrainën.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, deklaroi një ditë më pas se sulmi i së martës në Poloni me gjasë u shkaktua nga mbrojtja ajrore e Ukrainës, por shtoi se Rusia mbetet fajtore pasi ajo e nisi luftën.
Incidenti ndodhi gjatë asaj që Kievi e quajti valën më intensive të sulmeve ruse me raketa në qytete ukrainase që nga fillimi i luftës në shkurt.
Ukraina tha se i rrëzoi shumicën e raketave ruse përmes raketa të veta të mbrojtjes ajrore. Rajoni Volyn i Ukrainës, afër kufirit me Poloninë, ishte njëri nga të shumtit që ishte cak i sulmeve ruse, sipas Ukrainës./REL