Zyrtarja e Partisë së Lirisë, Silva Caka ka shpërndarë një lajm lidhur me strategjinë e ujit që thekson se deri në vitin 2030 tarifa do të rriten me 75% dhe për këtë akuzon pushtetin vendor dhe qendror të udhëhequr nga socialistët.
“Vazhdon grabitja, tarifa e ujit do të rritet me 75%!
Korrupsioni dhe grabitja e fondeve nga bashkitë dhe qeveria janë shkaqet e vërteta dhe të vetme të dështimit dhe falimentimit të sektorit të ujësjellës-kanalizimeve në shumë bashki të vendit.
Asnjë arsye tjetër nuk ka dhe asnjë masë lidhur me rritjen e tarifave nuk e përmirëson cilësinë e shërbimit.
Tarifat e ujit janë rritur si kurrë ndonjëherë nga Erion Veliaj e megjithatë edhe në mes të Tiranës, uji vjen me orar e madje gjatë verës qytetarët, nga mungesa totale kanë blerë ujë edhe me bote.
Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe përderisa Erion Veliaj me paratë e ujësjellësave paguan si “këshilltare”, gazetaret e mediave të rilindjes.
Në 2022, ka mjaft bashki që furnizohen me orare dhe në bashkitë më të mëdha të vendit, uji i rubinetit nuk është i pijshëm, duke thyer parimin universal se “uji nuk ka ngjyrë dhe erë”.
Uji i çezmës në Tiranë ka ngjyrë dhe të çan hundët era e myshkut. Pale këto ditë që ka patur rreshje… llumi dhe algat që dalin nga rubineti, të bëjnë të mendosh se jetojmë në Çernobil.
Investimet në këtë sektor nuk kanë munguar; KfW (German Development Bank) ka sjellë pafund fonde për ndërtim/rikonstruksion ujësjellësash në Shqipëri, por mosmbledhja e të ardhurave nga kjo shoqëri, përsëri ishin një nga arsyet e falimentimit të shumë bashkive.
Rritja e tarifave nuk do të përmirësojë asgjë përsa i përket cilësisë së ujit dhe furnizimit.
Rritja e tarifave ka vetëm qëllimin e rrjepjes së qytetarëve dhe përvetësimit të parave të tyre” tha Caka.