Kryeministri Albin Kurti, në seancën e Kuvendit ka folur për marrëveshjen e mbrëmshme në Bruksel për çështjen e targave. Kurti ka thënë se ajo që ndodhi mbrëmë nuk është marrëveshje, por dakordim dhe ndryshim i deklaratës së Përfaqësuesit të BE-së, Josep Borrell nga ajo që tha të hënën.
“Të hënën në mbrëmje më është ofruar një dokument si dakordim i përbashkët që i ka pas 95 fjalë, dhe fjalët Francë e Gjermani s’kanë qenë askund, dhe nuk i referohet propozimit franko-gjerman apo propozim të BE-së, përveç çështjes së targave”, tha Kurti.
Kryeministri shtoi se ata që thonë që ajo që nuk është pranuar të hënën, është pranuar të mërkurën nuk e dinë për çfarë po flasin.
“Nuk është marrëveshje por dakordim, është deklaratë e Borrellit. Ajo që është bërë mbrëmë është ndryshim i deklaratës së Borrellit, ne s’kemi ndryshuar qëndrim por Borrelli ka ndryshuar deklaratën dhe kjo është shumë mirë. Marrëveshja e mbrëmshme nuk është marrëveshje për targat, ne u morëm vesh që t’i ndalojmë veprimet në mënyrë reciproke”, tha Kurti.
Ai shtoi se qëllimi i tyre ishte që propozimi franko-gjerman për normalizim të bëhet çështje e bisedimeve në Bruksel drejt arritjes së një dakordimi që shtetit tonë që është normal e demokratik t’i bashkëngjitet edhe një raport normal e evropian me Serbinë, shkruan Telegrafi.
“Ishte e qartë nga vetë deklarata e zv.presidentit Borrell që një gjë e tillë nuk ishte përfshirë në diskutimet e ditës së hënë. Tash ajo figuron saktësisht dhe me një status të qartë në paragrafin e parë.
Nuk ka qenë ditën e hënë në tekstin që më është ofruar mua. Mendoj që është një arritje e madhe sepse për të herë të parë procesi i dialogut hynë në një fazë të negocimit mbi kornizën e përgjithshme që do të jetë ligjërisht e obligueshme”, tha Kurti.