Policia e Shtetit ka publikuar pamjet e momentit të arrestimit të 10 personave për laboratorin e kokainës në Fier. Strukturat e Policisë kanë kryer kontrollin e 14 ambienteve, në qytete të ndryshme (Tiranë, Lushnjë dhe Fier).
Janë sekuestruar: 6 armë zjarri, 2 armë gjahu, municion luftarak, rreth 16 000 euro dhe 20 paleta me rreth 24 ton “pleh artificial”, brenda të cilit, ekzistojnë dyshime të arsyeshme, të bazuara në prova se gjendet një sasi prej rreth 430 kg lëndë narkotike kokainë, vlera e së cilës, referuar shitjes në tregun me pakicë, kap shifrën rreth 40 milionë euro.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku nëpërmjet një mesazhi, ka falënderuar të gjithë trupën policore të angazhuar për finalizimin “me sukses të këtij megaoperacioni. Ky megaoperacion tregoi integritetin dhe profesionalizmin e strukturave policore, në luftën pa kompromis ndaj fenomeneve kriminale” tha ai.
Të arrestuarit në këtë operacion janë:
1- Viktor Çervanaku: ish-kryetari i njësisë administrative Frakull
2- Zenel Çervanaku: Vëllai i Viktorit
3- Denilson Çervanaku: Djali i Viktorit
4- Enxhi Ferhati: E fejuara e Denilsonit
5- Nikolin Gjolena
6- Klajdi Vrioni (Kodra)
7- Julian Malaj
8- Redion Meshi
9- Bledar Matoshi
10- Marildo Rona