-sidi education-spot_img
11.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Enver Robelli: Nervoza e Vuçiçit dhe rrjeti ballkanik i Orbanit

Kryesoret

Një ditë pasi fitoi zgjedhjet, kryeministri i ardhshëm i Hungarisë, Peter Moxhar, arriti që me një fjali ta nervozojë presidentin serb Aleksandar Vuçiq. Moxhar tha se me qejf do të takonte udhëheqjen serbe, por “e di se çfarë lidhje ekzistojnë” mes Vuçiqit dhe Viktor Orbanit, humbësit të zgjedhjeve dhe kryeministrit hungarez për 16 vjet.

Ajo që e bëri Vuçiqin të humb nervat ishte akuza e Moxharit se pas miqësive të mëdha të Orbanit me Vuçiqin dhe me kryeministrin sllovak Robert Fico qëndron një kumbar. (Moxhar nuk përmendi emra, por mund të merret me mend se kumbara është Vlladimir Putini). Vuçiq, i cili lehtë e humb kontrollin, reagoi menjëherë: “Hajde përgjigju, meqë e di, trego kush kumbaron. Lidhje nuk ka. Kjo është ‘hajde të flas pak, të mos them çdo gjë deri në fund, por që të mendohet se ai është Putini apo dikush’”.

Përgjigja e Vuçiqit është pavullnetshëm vetëdemaskuese: ku dhemb dhëmbi, shkon gjuha. Natyrisht që Rusia e Putinit prej shumë vitesh përpiqet të krijojë një aleancë autokratësh në Europën Lindore, të cilët do ta sabotonin BE-në nga brenda (Hungaria e Sllovakia) dhe ta dëmtonin duke u bërë qendra të influencës ruse (rasti i Serbisë). Në të vërtetë këto shtete po e bëjnë këtë tashmë duke i shërbyer Putinit dhe destabilizuar Europën.

Ka dyshime që pak para zgjedhjeve në Hungari dhe me qëllim që t’i ofrohet ndihmë elektorale Orbanit, në veri të Serbisë u inskenua një sulm ndaj gazsjellësit që furnizon Serbinë e Hungarinë me gaz rus. Si pala serbe ashtu edhe ajo hungareze me pompozitet njoftuan se ishte shmangur një sulm. Orbani e nxori ushtrinë për ta mbrojtur gazsjellësin në territorin hungarez. Kështu ai prodhoi fotografi luftarake duke e prezantuar veten si mbrojtës të interesave hungareze. Mes rreshtave për këtë gjoja sulm u akuzua Ukraina.

Partia Tisza e Peter Moxhar e quajti krejt lajmin për “sulmin” ndaj gazsjellësit një manovër mashtruese të Orbanit. Moxhar ka paralajmëruar se parlamenti hungarez do të hetojë rrethanat e këtij “sulmi”. Vuçiq tani reagoi me nervozizëm duke thënë se “ky nuk është vend i Moxharit dhe ai nuk ka ingerenca që të zhvillojë hetime në Serbi”.

Gazeta “Frankfurter Allgemeine Zeitung” (FAZ) shkruan në numrin e nesërm se pas fitores së Moxharit, në Ballkan po i afrohet fundi rrjetit të Orbanit. Si partner kryesorë të Orbanit në rajon gazeta përmend presidentin serb Vuçiq, liderin separatist të serbëve të Bosnjës Millorad Dodik dhe kryeministrin maqedonas Hristijan Mickoski. Në shtator 2024, sipas FAZ, Orban i premtoi Mickoskit një kredi në vlerë prej 500 milionë euro. Po ashtu biznesmenë të afërt me Orbanin kanë blerë disa media në Maqedoninë e Veriut, për shembull televizionin Alfa. Këto media, shkruan e përditshmja gjermane, raportojnë rregullisht sipas interesave të Mickoskit dhe Orbanit.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit