Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në kuvendin historik të përbashkët, të Shqipërisë dhe Kosovës mes të tjerash e vendosi theksin te dy emra, Ibrahim Rugova dhe Hashim Thaçi. Më tej, ai tha se marrëdhëniet mes dy vendeve nuk kanë qenë gjithmonë “rozë”.
“Një pjesë të mundësive ne shqiptarët e shfrytëzuam, një pjesë e huqëm, në një pjesë të konsiderueshme të bashkëjetesës, një pjesë bënë dhe vazhdojmë të bëjmë çmos për ta penguar njëri tjetrin, herë me sukses dhe herë pa sukses.
Por sot kjo është një ditë e mirë dhe e bukur, frymëzuese edhe për këtë pamje që i ka mbledhur të gjithë bashkë, pavarësisht nëse do të donin apo jo ta pranonin njëri tjetrin në një mëhallë të përditshme.
Dy emra do të sjell pa të cilët nuk do të kuptohej ardhja deri në këtë ditë, LDK dhe UÇK. Këto lidhen me Ibrahim Rrugovën, një i munguar i madh në këtë ditë dhe Hashim Thaçin, një tjetër i munguar i madh në këtë sallë, që është ndarë prej nesh përkohësisht me një mision që vazhdon” tha ai.
Kreu i qeverisë shqiptare foli edhe për sfidat dhe të ardhmen e dy vendeve. “Shqiptarët nuk kanë qenë kurrë më mirë në raport me të huajt. Por përsëri edhe sot nuk besoj se shqiptarët janë më mirë në raport me vetveten.
Unë besoj se edhe njohja përfundimtare e Kosovës do vijë më herët dhe se Kosova nuk do presë aq sa ka pritur pavarësinë për t’u njohur ndërkombëtarisht.
Nga ana tjetër akoma më e prekshme dhe më mbresëlënëse është pamja në Maqedoninë e Veriut. Shumë më vonë pas lirisë së Kosovës, ishte vendi ku gjuha shqipe vazhdonte të shihej si gjuha e një pale të padëshirueshme, vendi ku flamuri shqiptar vazhdonte të shihej si një provokim.
Sot nuk besoj se janë të shumtë ata që mund të thonë ata që e dinin se në 110 vjetorin e pavarësisë, Maqedonia e Veriut do kishte shqipen gjuhë zyrtare dhe kryeparlamentarin shqiptar. Po ashtu nuk besoj se e ka menduar dikush më parë se Mali i Zi mund të kishte një kryeministër shqiptar siç e ka sot.
Marrëdhëniet nuk janë më të shkëlqyera, thjesht sepse jemi dy vende të ndara, por të bashkuara me një zemër, por janë edhe produktive më shumë se ç’kanë qenë më parë. këtë e tregojnë faktet e treguara nga vullneti he rritja e aftësisë për ta zbatuar në praktikë bashkëpunimin në interes reciprok.
Mjafton të shikosh të dhënat e shkëmbimeve tregtare, apo lirinë e lëvizjes, apo abetaren e përbashkët një tjetër ngjarje e rëndësishme dhe e realizuar, apo punën e përbashkët për fjalorin enciklopedik shqiptar.
Apo bashkëpunimin e përditshëm në fushën e energjisë, apo punën e nisur për të bërë realitet atë që është vepra më e madhe, portin dhe hekurudhën. Për hekurudhën themi tani më, ofertuesit që kanë ofertuar për të marrë përsipër studimin e fizibilitetit.
Në 12 dhjetor në prezantimin e madh publik të projektit përfundimtar pasi kemi parashtruar publikisht konceptimin për portin e ri, në 12 dhjetor do të preznatojmë projektin përfundimtar” deklaroi ai.