Zbardhen detaje të reja nga mediat italiane për dy vëllezërit shqiptarë që drejtonin rrjetin e trafikut të drogës në Itali. Ata janë Artur dhe Mark Ndreka.
Në krye të bandës ishin dy vëllezërit, por rolin e organizatorit sipas mediave italiane e kishte Arturi, që thirrej me nofkën “Kapo” dhe që kishte lidhje me tre mafiozë të tjerë shqiptarë, Arben Zogun, Petrit Bardhin e Dorian Petokun.
U stërvit nga tre “koka” të drogës, i vjen fundi “rrugëtimit” të “shefit”
“Artur Ndreka kishte arritur një status të lartë ekonomik e kriminal” deklaron prokurori Carlo Villani. “Mafia shqiptare në Romë, menaxhon segmente dhe pjesë të rëndësishme të territorit në trafikun e kokainës, hashashit, marijuanës, por dhe vret e paguan killera për të hequr qafe rivalitetin” shkruhet më tej në mediat italiane.
Mafia shqiptare në Romë ka fituar një autonomi të plotë nga grupet autoktone në aferat e narkotrafikut. “Falë afërsisë gjeografike, ofron në tregje lëndë narkotike me çmime konkurruese duke i importuar nga Shqipëria e me një fuqi negociuese sa i bën ata të barabartë në marrëdhëniet me organizatat e tjera kriminale më të struktura e më të njohura në territor.
Janë dokumentuar lidhjet bashkëpunuese të mafias shqiptare jo vetëm me mafien romane por dhe me familje mafioze ndranghetiste e kamoriste me veprim e kontroll në Romë e Lacio” thuhet në raportin e anti-mafies.