Në mbledhjen e sotme qeveria ka miratuar vendimin për shpërblimet e fundit të vitit. Pensionistët do të marrin 50 mijë lekë të vjetra. Kompensim 60 mijë lekë do të përfitojnë personat që marrin pension invaliditeti. Përfituesit nga skema e ndihmës ekonomike dhe aftësisë së kufizuar shpërblehen financiarisht 30 mijë lekë.
Gjithashtu grave të papuna me tre apo më shumë fëmijë të moshës deri në 18 vjeç, ku njëri prej fëmijëve është nën moshën 5 vjeç dhe familja ka të ardhura nën 100 000 (njëqind mijë) lekë në muaj, periudha e kujdesit ndaj fëmijës deri në moshën 5-vjeçare njihet si periudhë sigurimi për efekt përfitimi pensioni pleqërie dhe barrëlindjeje.
VENDIMET E PLOTA
KOMPENSIMIN E TË ARDHURAVE TË PERSONAVE QË PËRFITOJNË PENSION INVALIDITETI, PËR VITIN 2022
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 11, të ligjit nr.115/2021, “Për buxhetin e vitit 2022”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Kompensimin, në masën 6 000 (gjashtë mijë) lekë të personave, që përfitojnë pension invaliditeti, sipas ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, për vitin 2022.
-
Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, llogariten në shumën 396 642 000 (treqind e nëntëdhjetë e gjashtë milionë e gjashtëqind e dyzet e dy mijë) dhe përballohen nga fondi rezervë i buxhetit, për vitin 2022.
-
Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore për zbatimin e këtij vendimi, të cilët autorizohen të kryejnë edhe rialokimin e fondeve.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
SHPËRBLIMIN E PENSIONISTËVE PËR FESTAT E FUNDVITIT 2022
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 5, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit 115/2021, “Për buxhetin e vitit 2022”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Shpërblimin, në masën 5 000 (pesë mijë) lekë, të personave, sipas kategorive të mëposhtme:
a) Personat, që përfitojnë pension pleqërie, pension invaliditeti, pension familjar dhe pension social, sipas ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.4171, datë 13.9.1966, “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë”;
b) Personat, që përfitojnë pension, sipas paragrafit të katërt, të nenit 96, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe, sipas ligjit nr.4976, datë 29.6.1972, “Për pensionet e anëtarëve të kooperativave bujqësore në Republikën Popullore të Shqipërisë”;
c) Personat, që përfitojnë pension, sipas ligjit nr.150/2014, “Për pensionet e punonjësve, që kanë punuar në miniera në nëntokë”, personat që marrin trajtim të veçantë financiar, sipas ligjit nr.8685, datë 22.6.2000, “Për një trajtim të veçantë të punonjësve, që kanë punuar në miniera, në nëntokë”, të ndryshuar, dhe personat që përfitojnë trajtim të veçantë financiar, sipas ligjit nr.9179, datë 29.1.2004, “Për një trajtim të veçantë të punonjësve, që kanë punuar në disa ndërmarrje të industrisë ushtarake”, të ndryshuar;
ç) Personat, që përfitojnë pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, sipas ligjit nr.10142, datë 15.5.2009, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakeve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;
d) Personat, që nuk përfitojnë pension, por që trajtohen vetëm me shpërblimin financiar si veteranë të LANC-it, sipas vendimit nr.190, datë 3.5.1995, të Këshillit të Ministrave, “Për zbatimin e ligjit nr.7874, datë 17.11.1994, “Për statusin e veteranit të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar”, si dhe personat, të cilët marrin vetëm pension të posaçëm për merita të veçanta, sipas dispozitave të ligjit nr.4171, datë 13.9.1966, “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë”;
dh) Personat, që nuk përfitojnë pension, por që përfitojnë vetëm pension shtetëror të posaçëm të caktuar në përputhje me nenin 5, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;
e) Personat, që nuk përfitojnë pension, por që janë përfitues vetëm të trajtimit të veçantë financiar, sipas neneve 5/1/a dhe/ose 5/1/b, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;
ë) Personat, që nuk përfitojnë pension, sipas ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, por përfitojnë pension suplementar të caktuar, sipas ligjit nr.8097, datë 21.3.1996, “Për pensionet shtetërore suplementare të personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe të punonjësve të shtetit”, të ndryshuar;
f) Personat, që përfitojnë pension për shkak të profesionit të vështirë, sipas nenit 5, të ligjit nr.29/2019, “Për trajtimin financiar, suplementar të punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë, të punonjësve të industrisë së naftës e të gazit dhe të punonjësve që kanë punuar në metalurgji”;
g) Personat, që nuk përfitojnë pension, por janë përfitues vetëm të trajtimit financiar si fëmijë në përkujdesje të Republikës, sipas ligjit nr.129/2021, “Për statusin “Fëmijë në përkujdesje të Republikës””.
- Të drejtën për të përfituar shpërblimin, në masën e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi e kanë edhe ata persona që u lind e drejta për përfitimin e pensionit deri në datën 31.12.2022, përfshirë edhe këtë datë, dhe kanë të drejtë ta marrin vetëm një herë këtë shpërblim, pavarësisht se mund të përfitojnë më shumë se një përfitim.
-
Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, llogariten në shumën 3 503 309 000 (tre miliardë e pesëqind e tre milionë e treqind e nëntë mijë), e ndarë në 3 475 505 000 (tre miliardë e katërqind e shtatëdhjetë e pesë milionë e pesëqind e pesë mijë) lekë për shpërblimin dhe 27 804 000 (njëzet e shtatë milionë e tetëqind e katër mijë) lekë komisione dhe shpenzime të tjera. Efektet financiare do të përballohen nga buxheti i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, i miratuar për vitin 2022.
-
Shpërblimet do të kalojnë në llogaritë e pensionistëve në muajin dhjetor 2022 dhe do të paguhen gjatë këtij muaji. Në rastet kur pagesat efektive nuk kryhen brenda muajit dhjetor 2022, ato do të paguhen gjatë vitit të ardhshëm. Shpërblimet e patërhequra parashkruhen me kalimin e 36 (tridhjetë e gjashtë) muajve nga data e miratimit të këtij vendimi.
-
Administrimi i fondeve buxhetore të shpërblimit të pensionistëve, caktimi i shpërblimit për çdo përfitues dhe pagesa realizohen nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, Posta Shqiptare, sh.a., dhe bankat e nivelit të dytë, sipas të njëjtave procedura që zbatohen për administrimin e fondit të Sigurimeve Shoqërore.
-
Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore për zbatimin e këtij vendimi dhe autorizohen të kryejnë edhe rialokimin e fondeve, sipas programeve në buxhetin e Institutit të Sigurimeve Shoqërore.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
SHPËRBLIMIN E DISA KATEGORIVE TË VEÇANTA PËR FESTAT E FUNDVITIT 2022
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 5, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.115/2021, “Për buxhetin e vitit 2022”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Përfituesit nga skema e ndihmës ekonomike dhe aftësisë së kufizuar shpërblehen financiarisht, për vitin 2022, në masën 3 000 (tre mijë) lekë, të ndarë sipas kategorive të mëposhtme:
a) Familjet të cilat trajtohen me ndihmë ekonomike;
b) Familjet të cilat kanë në përbërje të tyre anëtarë me aftësi të kufizuara, të lindur ose të bërë të tillë, të cilët deklarohen të paaftë për punë me vendim të KMCAP-së, sipas shkronjave “b” dhe “c”, të nenit 8, të ligjit nr.57/2019, “Për asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë”;
c) Individët përfitues të statusit, sipas ligjit nr.8626, datë 22.6.2000, “Statusi i invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik”, të ndryshuar;
ç) Individët përfitues të statusit, sipas ligjit nr.8098, datë 28.3.1996, “Për statusin e të verbrit”, të ndryshuar.
- Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, llogariten në shumën 399 000 000 (treqind e nëntëdhjetë e nëntë milionë) lekë dhe përballohen nga fondi rezervë i buxhetit, për vitin 2022.
-
Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
NJË MBROJTJE TË VEÇANTË NGA SHTETI PËR GRATË E PAPUNA ME TRE APO MË SHUMË FËMIJË TË MOSHËS DERI NË 18 VJEÇ
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 58, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Grave të papuna me tre apo më shumë fëmijë të moshës deri në 18 vjeç, ku njëri prej fëmijëve është nën moshën 5 vjeç dhe familja ka të ardhura nën 100 000 (njëqind mijë) lekë në muaj, periudha e kujdesit ndaj fëmijës deri në moshën 5-vjeçare njihet si periudhë sigurimi për efekt përfitimi pensioni pleqërie dhe barrëlindjeje.
-
Kontributet e sigurimeve shoqërore për degën e sigurimit të pensioneve dhe degën e sigurimit të barrëlindjes paguhen në nivelin e pagës minimale në shkallë vendi.
-
Shërbimi Social Shtetëror përcakton listën e grave që përfitojnë mbrojtje të veçantë dhe çdo muaj llogarit dhe kryen pagesën e kontributeve, sipas parashikimeve të ligjit nr.9136, datë 11.9.2003, “Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të udhëzimit të ministrit përgjegjës për shëndetësinë dhe çështjet sociale.
-
Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
-
Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për zbatimin e këtij vendimi
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i fillon efektet nga data 1 janar 2023.