Policia e Kosovës ka dalë me raport për vrasjen e 35-vjeçares shtatzënë para Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK, ku kishte shkuar për të kryer lindjen.
Në raportin 24 orësh, Policia e ka cilësuar rastin si “vrasje e rëndë”, derisa ka bërë me dije që i dyshuari është ende në arrati.
“VRASJE E RËNDË- Prishtinë 30.11.2022 – 18:00. Është raportuar se viktima femër kosovare para klinikës së Gjinekologjisë në QKUK është qëlluar me armë zjarri nga një peron i dyshuar dhe si pasojë ka ndërruar jetë, vdekjen e të cilës e ka konstatuar mjeku. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante të policisë dhe prokurori kujdestar me urdhrin e të cilit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion. Nga njësitë policore në disa lokacione është kërkuar i dyshuari por deri tani nuk është hasur. Rasti vazhdon të hetohet nga njësitet kompetente policore”, thuhet në raport.
Nazlie Bala nga Ministria e Drejtësisë, ka thënë se gruaja shtatzënë e cila u vra këtë të mërkurë, kishte kërkuar ndihmë edhe më parë në institucione përkatëse.
Balaj ka thënë se gruaja shtatzënë e cila u vra të mërkurën mbrëma nga bashkëshorti me të cilin ishte në proces të ndarjes, ka pasur urdhër-mbrojtje nga Gjykata Themelore në Ferizaj.
“Sipas informacioneve që i kemi e ndjera ka pasur urdhër-mbrojtje nga Gjykata Themelore në Ferizaj”, ka thënë ajo.
Vrasja e gruas shtatzënë, dëshmitarët: Ish-burri e kishte kërkuar një natë para krimit