Tre muaj nuk mjaftojnë për policinë e shtetit për të pasur një përgjigje zyrtare nëse Ervis Martinaj është vrarë apo ka inskenuar zhdukjen për shkak se e kërkojnë drejtësia dhe rivalët. Në fillim të muajit shtator, porosia e parë që i la Edi Rama, drejtorit Muhamet Rrumbullaku ishte përgjigja për fatin e “mbretit” të basteve.
Por bastet u rihapën dhe fati i Martinajt ende nuk dihet. Sot drejtori i policisë tha se jemi në “rrugë të mbarë” me hetimet. Por si kanë pësuar kthesa të forta deklaratat e tij nga shtatori dhe deri në dhjetor për Ervis Martinajn.
Kronologjia
Në 17 shtator Edi Rama u shpreh me bindje se policia e kishte një përgjigje. “Duhet të keni pak durim për të marrë një përgjigje përfundimtare dhe do ta keni shumë shpejt.
Një përgjigje e kemi pak a shumë që sot por që Policia e Shtetit duhet të flasë me prova dhe shumë shpejt do ta kemi”, tha Rama në komunikim me gazetarët dhe qytetarët online.
Në 22 shtator kryeministri shkoi akoma më tej. “Policia ka shumë më tepër se ç’kanë të tjerët, por duhet të ketë qartësi kur del me një version zyrtar. Shumë shpejt, uroj ta ketë shpejt”.
Në 28 shtator erdhi tërheqja e parë e lehtë. “Di t’ju them që në momentin e parë që policia do ketë provat e nevojshme, do të ketë komunikimin. Për sa kohë nuk ka komunikimin, do të thotë se nuk i ka provat e nevojshme”, theksoi Edi Rama duke bërë një hap pas të fortë.
Në të njëjtën gjatësi vale kanë qenë edhe ministri Çuçi dhe drejtori i policisë Muhamet Rrumbullaku.
Por në 12 tetor drejtori largoi përgjegjësinë nga policia duke ia kaluar prokurorisë. Muhamet Rrumbullaku tha se është prokuroria që i drejton hetimet.
“Kemi struktura që po ndjekin rastin, jemi në ecuri të procesit, në krye të detyrave të deleguara nga prokurori, punohet me grupe miks. S’kam për të deklaruar asgjë më tepër sesa kam deklaruar më parë” tha ai.
Sot Rrumbullaku u rikthye sërish në pikën e nisjes duke deklaruar se hetimet janë në rrugë të mbarë. “Policia e Shtetit është në rrugë të mbarë për hetimin e rastit. Ne mendojmë se jemi në rrugën e mbarë për të zgjidhur rastin”, tha Rrumbullaku.
Pak ditë më parë familja, xhaxhai i Ervis Martinajt akuzoi direkt kryeministrin. “Edi Rama na e ka dhënë mesazhin që në fushatën e vitit të kaluar, që i ka thënë se “i them atij drejtorit të basteve” dmth që atëherë na ka kërcënuar, se “ia dimë targën e makinës” e kështu dmth.
Unë e di zhdukjen e nipit tim, është kryeministri, organizatori është kryeministri Edi Rama me bandat e tij edhe me gjithë oligarkët që i kanë interesat nga bregdeti i jugut.
100% 100%, e di kryeministri këtë punë. Po e di unë se në fushatën e prillit të vitit të kaluar, na ka thënë.
Ka dalë në miting dhe e deklaroi: “Unë i them atij drejtorit të basteve…”. “Unë i them atij drejtorit të basteve, betohet, unë ia di targën e makinës, edhe në brimë të miut po u fut, ne do të të gjejmë”.
Edhe e gjeti. Ashtu siç deklaroi edhe e bani, e gjeti. Dëgjo motër, hasmi nuk ka interes me të zhduk xhenazen dhe kufomën, mua baba nuk më ka lënë hasmëri me askënd. Kurse ky qafiri i kombit, Edvini” deklaroi Faik Martinaj.
Ervis Martinaj, i njohur si ‘mbreti’ i lojërave të fatit, është zhdukur prej gati 4 muajsh. Zhdukja e tij ka vënë në lëvizje jo vetëm institucionet e drejtësisë, por edhe politikën.