Ish-kryetari i PD-së, Lulzim Basha dënoi sulmin kundër Sali Berishës. Në një postim në rrjetet sociale, Basha shkruan se dhuna nuk është zgjidhje dhe bën thirrje për hetim të plotë.
“Dënoj ashpërsisht sulmin fizik ndaj z. Berisha. Kjo ngjarje duhet të hetohet dhe të zbardhet plotësisht. Dhuna nuk mund të jetë kurrë zgjidhje.
Ajo është vetëm tregues i një vendi pa zgjedhje të lira, pa drejtësi, pa demokraci funksionale dhe me korrupsion të pandëshkuar” shkruan Basha.
Sulmin e ka dënuar edhe kryetari i grupit të PD-së, Enkelejd Alibeaj. “Dënoj me forcë aktin e sotëm të dhunës ndaj Sali Berishës. Sulmi ndaj çdo politikani, e ndaj çdo individi, është një akt i dënueshëm dhe i pavend në një shtet funksional demokratik.
Incidenti i sotëm duhet të zbardhet urgjentisht nga organet përgjegjëse ndërsa kultura e dhunës duhet përjashtuar njëherë e përgjithmonë nga zhvillimet e politikës në Shqipëri” shkruan ai.