Krye i bashkisë Shkodrës Bardh Spahia me anë të një postimi në facebook ka reaguar pas sulmimit të kreut të PD-së Sali Berisha.
Spahia shkruan se nuk ka asnjë dyshim kush qëndron pas sulmit të sotëm.
Gjithashtu ai shtoi se deklarata e policisë së shtetit jo vetëm e konfirmoi por edhe e faktoj.
Postimi i Plotë:
Nuk ka asnjë dyshim se kush është organizatori i vërtetë i sulmit ndaj kryetarit të opozitës z.Berisha. Deklarata e policisë së shtetit jo vetëm e konfirmoi por edhe e faktoj. I vetmi preokupim i policisë së shtetit ishte që të justifikonte agresorin dhe e bëri duke na shfaqur para syve një vërtetim pa asnjë vlerë mjekësore e ligjore. Shqetësimi më i madh në deklaratën e hartuar enkas per ta lexuar drejtori i policisë ishte për ta quajtur të sulmuarin, deputeti Berisha.
Në çdo rresht të saj, deklarata e institucionit që do të duhej të ishte në krah të ligjit dhe profesionalizmit, synonte të minimizonte figurën e z.Berisha dhe më kryesorja mos ta konsideronte lider të Opozitës, të asaj opozite që mbush sheshet e vendit. E gjitha kjo në të njëjtën linjë me porosinë dhe presionin e Edi Ramës ndaj gjykatave për mos ta njohur opozitën. Por ndryshe nga Rama dhe njerëzit e tij, sot mbarë shtypi ndërkombëtar i referohet z.Berisha si lideri i opozitës.
Ngjarja e sotme ishte një provokim kriminal e tepër i rrezikshëm me qëllimin për t’i mbyllur gojën opozitës por edhe për ta nxjerrë opozitën si të dhunshme sepse ky akt mund të inicionte një spirale dhune e përplasjeje sociale, e cila u evitua falë qetësisë e maturisë së Dr. Berishës dhe opozitës së vertetë shqiptare e vlerave europiane që ajo më së miri përfaqëson.