Gert Shehut 31-vjeç sot në mëngjes iu komunikua në spitalin e Traumës masa e arrestit me burg për goditjen me grusht në fytyrë kundër Sali Berishës. Policia për ngjarjen e bujshme të goditjes së liderit të opozitës ka dhënë vetëm dy komunikata dhe një përgënjeshtrim, që u detyrua vetë drejtori të dilte ta bënte.
Reagimin e parë për ngjarjen dje policia e bëri mbi dy orë pas incidentit. Ajo që tërhoqi vëmendjen dje në reagimin e parë të policisë ishte fakti që u fut në komunikatë me shpejtësi fakti që i riu sipas familjes kishte çrregullime mendore. “Gjithashtu, sipas diagnozës klinike, të vënë në dispozicion nga familjarët e tij, 31-vjeçari vuan nga çrregullime psikotike dhe trajtohej prej vitesh, për këtë” thoshte policia.
Njoftimi i parë i policisë dje
Sot rreth orës 15:00 policia bëri një tjetër njoftim lidhur me masën e arrestit që iu komunikua në spital. “Strukturat e posaçme të Policisë Gjyqësore të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Jetës, të DVP Tiranë, dhe me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, pas kryerjes së një sërë veprimesh hetimore dhe procedurale, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për ngjarjen e ndodhur më datë 06.12.2022, arrestuan në flagrancë shtetasin:
Gert Shehu, 31 vjeç, banues në Tiranë, për goditje për shkak të detyrës dhe plagosje me dashje. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se ky shtetas ka goditur me grusht në fytyrë, deputetin Sali Berisha, duke i shkaktuar dëmtime fizike, gjatë kohës që ai po lëvizte me këmbë, në bulevardin Zhan D’Ark, në drejtim të vendit ku do të zhvillohej protesta e planifikuar” deklaron policia. Në njoftimin e sotëm policia nuk e përmende gjëkundi pjesën e çrregullimeve që i riu pretendohet se vuante.
Njoftimi i dytë i policisë sot
Por kjo nuk është tërheqja e vetme sot. Lidhur me dokumentin ku i riu pretendohet nga familja se vuan nga çrregullimet mendore, dje kishte një kontradiktë në deklaratat mes nënës së Shehut dhe doktorit.
Ermira Kaçaçi tha dje se i biri para 10 ditësh ka kryer vizitën e fundit dhe pi në mënyrë të rregull ilaçet e dhëna nga mjeku Sadik Lala. Por mjeku e rrëzoi versionin e nënës duke thënë se për herë të fundit për t’u vizituar ka qenë 2-3 muaj më parë.
Kontradiktat, kush po gënjen nëna apo mjeku i njeriut që goditi Berishën?
Sot Ermira Kaçaçi deklaroi se ishte hera e parë që djali i saj ishte përfshirë në një situatë agresive të tillë. Më shumë se për ilaçet apo çrregullimet, ajo flet për momente stresuese dhe jo sjellje agresive të djalit në të kaluarën e afërt dhe të largët. Goditja, sipas saj mund të ketë ardhur si zemërim i momentit.
Goditi Berishën, flet fqinji i autorit: Gerti nuk ka çrregullime mendore
Gjithashtu fqinjët nuk folën për çrregullime mendore të 31-vjeçarit. “Nuk ka pasur probleme të shëndetit mendor. Pinte drogë, hashash po si duket pinte edhe nga ato të tjerat.
Po me shumë mundësi konsumonte edhe shumë të tjera. Punonte në disa piceri. Ishte besimtar, sa herë kalonte na përshëndeste me fjalë të besimit islam. Nuk ka qenë person problematik në lagje” tha njëri prej tyre.
I riu pas goditjes kundër Berishës, dje u dhunua nga demokratët që e dorëzuan në polici dhe kjo e fundit e çoi në spital ku ka plagë të shumta në trup.