14.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Artan Fuga: Televizioni i ri dhe emigracioni

Kryesoret

Televizioni i ri në këtë mënyrë, duke e lehtësuar komunikimin mbarëshqiptar në botë, krijon faktorë të rëndësishëm socialë që kanë vend për t’u studjuar në mënyrë të veçantë:

Së pari duke i lehtësuar disi pasojat komunikative që dikur i vështirësonte ose edhe i pengonte fare emigrimi, nga njëra anë ai e nxit emigrimin e shqiptarëve kudo në botë. Emigrimi së paku nga pikëpamja e komunikimit masiv paradoksalisht duket sikur bëhet një fakt që në një farë kuptimi nuk ekziston (!).

Së dyti, televizioni i ri në botën e Internetit dhe të rrjeteve sociale, të aplikacioneve telefonike, etj., bën të mundur që sado të thërrmuar dhe sado larg njëra tjetrës të jenë bashkësitë shqiptare në botë nga kombi amë, të ekzistojë qoftë edhe në një nivel jo gjithmonë të zhvilluar, ai që do të quhej unitet i opinionit publik kombëtar.

Së treti, nga vetë fakti se kemi të bëjmë me audienca gjithsesi që jetojnë në kushte dhe kontekste sociale të shumëllojshme, si edhe nga vetë natyra e televizionit në Web, Internet, rrjete sociale, aplikacione, etj., ky opinion shoqëror mbarëkombëtar, i shtrirë jo vetëm brenda territorit të Shqipërisë, jo vetëm midis shqiptarëve të Ballkanit, por planetar, mbetet i thërrmuar. Të tilla të thërrmuara bëhen gjithnjë e më shumë të gjitha audiencat televizive numerike çka e fragmenton si informimin masiv qytetar, ashtu edhe identitetin kulturor kombëtar, bashkë me to edhe qëndrimet politike të fragmenteve të thërrmuara të audiencave që marrin formën e realiteteve virtuale klanike, apo në formë sillosesh.

Së katërti, çdo operator televiziv i sotëm ndodhet përpara vështirësive financiare meqë audienca e secilit prej tyre ka prirje që nga njëra anë të zmadhohet, për shkak të transferimit të produkteve televizive në Web, etj., por edhe të zvogëlohet si pasojë e rritjes progresive të operatorëve televizivë shqipfolës. Ky fakt ka prirje të ulë edhe sasinë e të ardhurave nga reklamat, në mos afatshkurtër, e sigurt afatgjatë, çka shkakton vështirësi dhe rreziqe për falimentimin e sipërmarrjeve televizive. Produkti televiziv ka prirjen të shkojë drejt një çmimi minimal ose edhe drejt një modelit konsumimi falas, çka duke ditur që televizionet kryesore janë të detyruar të bëjnë investime, i bën këta të ndjejnë vështirësi të mëdha financiare.

Së pesti, sinjali televiziv dhe informacionet që ai transmeton përhapet anë e mbanë planetit, pra edhe në shtresat shoqërore audiencash që jetojnë në Shqipëri, pra e njohin realitetin edhe nga perceptime të drejtpërdrejta, ashtu edhe në komunitetet shqiptare në Ballkan dhe anë e mbanë botës. Në këtë mënyrë është shtuar së tepërmi numri i shqiptarëve që kanë mbi ngjarjet dhe situatën politike, shoqërore, kulturore në Shqipëri vetëm një përfytyrim të krijuar nga media. Ndërgjegjja shoqërore bëhet kështu shumë më tepër se më parë një “ndërgjegje mediatike”, pra humbet së tepërmi kontaktin e drejtpërdrejtë me realitetin empirik të vendit. Kjo bën që edhe realiteti shoqëror të bëhet një “realitet i mediatizuar”, çka hap fushë të gjerë veprimi mbi ndikimin e propagandave politike mbi mendjet e shqiptarëve.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit