Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) në kuadër të Javës Kundër Korrupsion ka publikuar një raport ku pasqyrohen problemet që ka qeveria kosovare në lidhje me ligjin.
Raporti i titulluar “Qeverisja me duar të pastra”, shpreh se Kuvendi, Qeveria dhe niveli lokal kanë në përbërje zyrtarë që kanë probleme me ligjin.
Hulumtuesi i IKD-së, Ramiz Durmishi tha se udhëheqja e institucioneve nga persona me dënime apo akt akuza aktive zbeh besimin e publikut.
Sipas tij, qeverisja me duar të pastra rregullisht ishte premtuar nga i gjithë spektri politik, duke shtuar se një gjë e tillë është e vështirë të realizohet.
Ai më tej shtoi se nga raporti i IKD-së rezulton se premtimet e kryeministrit Albin Kurti për ministra të cilët nuk kanë aktakuza nuk qëndrojnë.
Sipas Durmishit, tre prej deputetëve të cilët kanë probleme me ligjin janë duke ushtruar mandatin e tyre.
IKD ka identifikuar se ka probleme me ligjin në të tre partitë parlamentare.
Sipas tij, 7 deputet janë nga LVV, 1 nga PDK dhe 2 nga AAK si dhe një deputet pa grup parlamentar.
Ndërsa hulumtuesja në IKD, Medina Kadriu tha se në Kosovë ende nuk është krijuar kultura qeverisëse për të dhënë dorëheqje zyrtarët të cilët kanë probleme me ligjin.
Sipas Kadriut, në demokracitë e konsoliduara, sfera publike shërben si mjet kryesor i shoqërisë për të dalluar krimin ngas politika.
Ajo tha se gjetjet e IKD-së, dëshmojnë se nga të gjithë zyrtarët që aktualisht kanë probleme me ligjin nuk ka dhënë dorëheqje.
Qeveria e Republikës së Kosovës përbëhet nga gjithsej pesë zyrtarë të cilët kanë probleme me ligjin, ku sipas saj një nga këta zyrtarë, përfshihet edhe Kryeministri i Kosovës.