Tre persona janë arrestuar në Gjirokastër në një operacion ku u sekuestruan 70 kg kanabis e ndarë në 87 pako.
Të arrestuarit janë Sotir Rroshi, Fernando Toska dhe Maria Çaushi në kuadër të operacionit të koduar “Sateliti”. Hetimi kishte filluar prej disa muajsh.
Fernando Toska 37 vjeç, banues në Tiranë është me precedent të mëparshëm kriminal në fushën e narkotikëve.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ndaluar në aksin nacional “Ersekë – Tre urat”, Përmet, automjetin tip “Volvo”, me drejtues Sotir Rroshin dhe pasagjere Maria Çaushin.
Gjatë kontrollit në këtë automjet, shërbimet e Policisë kanë gjetur të fshehura në vende të përshtatura, 87 pako të mbushura lëndë të dyshuar narkotike kanabis, me peshë totale 70 kg.
Gjithashtu, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin me drejtues Fernando Toskën, i cili kontrollonte rrugën, me qëllim për të sinjalizuar 2 të tjerët për prezencën e shërbimeve të Policisë.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 70 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis, 2 automjete dhe 7 aparate celulare.