Sekretari i Shtetit Antony Blinken priti homologët e tij suedezë dhe finlandezë në Departamentin e Shtetit, ku çështja kryesore ishte kërkesa e dy vendeve për t’u bashkuar me NATO-n. Ato kanë një histori të gjatë mosangazhimi ushtarak, por kjo ndryshoi pasi Rusia filloi agresionin ndaj Ukrainës në shkurt.
Blinken tha se Suedia dhe Finlanda ndajnë vlerat e NATO-s dhe kanë filluar integrimin në aleancë ndërkohë që presin miratimin nga të 30 vendet anëtare.
Pengesë për anëtarësimin e tyre ka qenë presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, i cili akuzon Suedinë se është bërë strehë për terroristët. Blinken tha se po bëhen përpjekje për të zgjidhur ngërçin.
“Turqia ka ngritur shqetësime të rëndësishme sigurie në këtë proces dhe procesi po përdoret në mënyrë efektive dhe produktive për t’iu përgjigjur këtyre shqetësimeve. Dhe unë nuk do të flas në emër të asnjërit prej kolegëve të mi për këtë, përveçse të them siç e kemi vërejtur, se të dyja vendet janë angazhuar me Turqinë, dhe me vetë NATO-n, dhe u janë përgjigjur këtyre shqetësimeve në mënyra të dukshme.”
Blinken tha se ai ka besim se NATO-ja së shpejti do të pranojë Finlandën dhe Suedinë si anëtarë./VOA