Ish-zëdhënësi i NATO-s gjatë bombardimeve të vitit 1999, Jamie Shea, ka theksuar rëndësinë e vazhdimit të misionit të KFOR-it në Kosovë deri në anëtarësimin e plotë të Kosovës në Aleancën Veri-Atlantike. Shea shpjegoi se tensionet e vazhdueshme në rajon, përfshirë lëvizjet e trupave ushtarake serbe pranë kufirit me Kosovën, e bëjnë të domosdoshme mbajtjen e forcave paqeruajtëse.
Ai theksoi se KFOR-i është thelbësor për sigurinë e të gjithë qytetarëve të Kosovës, përfshirë pakicën serbe në veri, dhe se vazhdimi i misionit të KFOR-it do të mundësojë një kalim të qetë në periudhën e integrimit të Kosovës në NATO. Sipas Sheas, pranimi i Kosovës në NATO do të sjellë një tranzicion më të butë dhe më të sigurt.
Për më tepër, Shea theksoi se KFOR-i ofron mundësi të rëndësishme për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) për t’u trajnuar dhe për t’u përshtatur me standardet e NATO-s. Ai vuri në dukje se prania e KFOR-it në Kosovë është një mundësi për FSK-në për të rritur aftësitë e saj dhe për të përshpejtuar integrimin në aleancën veriatlantike.









