Eurodeputetja greke, Eva Kaili, e cila është ndaluar dje në prokurori nga autoritetet belge, po merret në pyetje për rastin e korrupsionit në Parlamentin Europian nga Katari. Pavarësisht mbrojtjes që i jep imuniteti parlamentar, eurodeputetja është përballur prej ditës së djeshme me policinë, ndërsa mëngjesin e djeshëm është arrestuar bashkëshorti i saj, Francesco Giorgi.
Sipas mediave greke, hetimet po ecin në mënyrë dinamike, pasi për të njëjtin rast po hetohen edheeurodeputetët belgë të socialdemokratëve, Marc Tarabella dhe Marie Arena. Nisur nga zhvillimet, dje ka pasur një reagim të menjëhershëm nga PASOK – Lëvizja për Ndryshim, e cila me një njoftim lakonik e largoi Eva Kailin jashtë partisë pas 18 vitesh veprim aktiv politik.
Në njoftimin përkatës të Harilaou Trikoupis, thuhet se “pas zhvillimeve të fundit dhe hetimit nga autoritetet belge për korrupsionin e zyrtarëve europianë, eurodeputetja Eva Kaili largohet nga PASOK – Lëvizja për Ndryshim me vendim të presidentit Nikos Androulakis”. Mbrëmjen e vonë të së premtes u bë e ditur se emri i saj ishte fshirë edhe nga grupi i Socialistëve dhe Demokratëve (S&D), me vendimin që ka hyrë në fuqi të menjëhershme.
Eurosocialistët janë “të tmerruar”. Rasti duket se po prek Grupin Eurosocialist në nivel politik në Parlamentin Evropian, ku partia komentoi disa herë dje zhvillimet e stuhishme, të cilat u shkaktuan nga një artikull i gazetës belge, Le Soir.