Kryetari i grupit të PD-së, Enkelejd Alibeaj ka reaguar për situatën e tensionuar në veri të Kosovës. Deputeti demokrati akuzon Serbinë dhe presidentin Vuçiç se po tentojnë destabilitet. Në këtë moment, Alibeaj kërkon unitet nga politika në Kosovë.
“Partia Demokratike po ndjek me shqetësim të lartë situatën në Veri të Mitrovicës. Lajmet se goditje me armë ndaj forcave policore të Kosovës, ngritja e barrikadave, kundërshtimi i autoriteteve ligjzbatuese të Kosovës nga elementë të armatosur të organizuar të strukturave paralele serbe, duket se është një skenar i qartë që synon krijimin e një vatre të rrezikshme tensioni.
Gjithashtu refuzimi i komunikimit dhe zgjidhjes së situatës me institucionet e ligjshme të Kosovës nga pala serbe duket se synon jo mbrojten e drejtave të popullatës serbe, por një ndarje defacto me bazë etnike të Veriut të Mitrovicës.
Nga ana tjetër, paralajmërimi nga zyrtarë të nivelit të lartë në Beograd se planifikojnë dërgimin e mbi 1000 trupave ushtarake serbe në Kosovë është kërcënim i drejtpërdrejtë i paqes në Ballkan.
Në emër të Partise Demokratike ne shprehim mbështetje të plotë për dialogun Kosovë-Serbi, me qëllim final njohjen reciproke. Ne mbështesim pa asnjë hezitim institucionet legjitime të Kosovës në përpjekjet e zbatimit të ligjit, si dhe të mbrojtjes së sovraniteti dhe integritetit shtetëror të Republikës së Kosovës.
Ne sot i apelojmë të gjithë aktorëve politikë në Kosovë për unitet, si dhe bashkërendim sa më të ngushtë me partnerë tanë strategjikë SHBA&BE në tejkalimin e kësaj situate.
Ne i bëjmë thirrje qeverisë serbe të ndalë skenarët e konfliktit e ndarjes me baza etnike në Kosovë duke u kthyer kësisoj në levë të interesave destabilizuese të Putin në Ballkan.
Kosova është e pavarur, e paprekshme dhe e ardhmja e saj është përcaktuar në BE dhe NATO” shkruan ai.