Një dëshmi e re në emisionin investigativ grek “Dritë në Tunel” ka ngjallur shpresat për gjetjen e Artemisa Vasilit, 19-vjeçares me origjinë shqiptare e cila është zhdukur 2 vite më parë në rrethana misterioze.
Një shqiptare që jeton dhe punon prej vitesh Suedi ka pohuar në emision nëpërmjet një telefonate se ka parë Artemisën në qytetin e Goteborgut në Suedi.
Dëshmia në fjalë për 22-vjeçaren ka ngritur alarmin te autoritetet greke dhe ka shkaktuar mobilizimin e menjëhershëm të policisë lokale, Interpolit dhe Autoriteteve Konsullore ndërsa është vënë në dijeni edhe avokati i familjes, Anastasios Dougas.
Pa humbur kohë avokati së bashku me Arin, vëllanë e Artemisës udhëtoi për në Suedi për të takuar dëshmitaren dhe për të kërkuar ndihmën e policisë dhe autoriteteve konsullore atje.
Artemis Vasili u zhduk më datë 15 tetor 2020 në Koropi, teksa familjes i kishte thënë se po shkonte për të dhënë një intervistë pune por nuk u kthye më.
Mediat greke citojnë disa dëshmitarë që janë shprehur se e kanë parë vajzën shqiptare në një gjendje të keqe psikologjike.
Vajza është parë duke qarë e vetme në një rrugë kryesore të Athinës.
Tre janë dëshmitë. Konkretisht pak pas zhdukjes, një grua tha se e pa vajzën 19-vjeçare në një gjendje shoku dhe duke qarë e vetme në rrugë. Gruaja iu afrua vajzës dhe u përpoq ta ndihmonte ndërsa Artemis u largua.
Një tjetër dëshmitar deklaroi se duke zbritur në stacionin e autobusit e pa 19-vjeçaren të trembur dhe duke ikur me nxitim. Gjithashtu një informacion tjetër erdhi se vajzës i kishte rënë të fikët në rrugë, por sapo ishin afruar njerëzit ishte shprehur se ishte mirë dhe ishte larguar.
Për herë të fundit vajzën me origjinë shqiptare e kapën kamerat duke shkuar në një stacion autobusi, ndërsa më pas janë vetëm dëshmitë e qytetarëve.