Drejtori i Forumit për Marrëdhënie Etnike në Beograd, Dushan Janjiç tha sot se Beogradi e legalizoi politikën e barrikadave në veri të Kosovës përmes Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
Sipas tij lojtari më i spikatur është Aleksandar Vuçiç, por që tani ai nuk ka kontroll mbi të gjithë njerëzit e armatosur që qëndrojnë në barrikada.
Janjiç tha se në barrikada ka serbë nën detyrim të punës apo politik, por edhe njerëz të armatosur dhe të maskuar të kontrolluar nga shërbime të ndryshme të sigurisë serbe dhe të huaja.
Sipas tij sa më gjatë të zgjasin barrikadat, aq më pak kontroll do të ketë Beogradi mbi to.
Ai shtoi se braktisja e institucioneve të Kosovës nga Lista Serbe ka për pasojë një vakum institucional dhe në krijimin e një vakuumi sigurie.
Ai vlerësoi se as Prishtina dhe as Beogradi nuk janë përcaktuar për dialog dhe normalizim të situatës.
Sipas tij, barrikadat janë vazhdimësi e politikës së reciprocitetit.
Grupe të qytetarëve serbë kanë ngritur barrikada në veri të Kosovës që më 10 dhjetor, për të kundërshtuar arrestimin e një ish-polici serb.
Policia e Kosovës ka arrestuar Dejan Pantiçin nën dyshimet se ka marrë pjesë në një sulm kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.
Për t’i hequr barrikadat, grupet e serbëve kërkojnë lirimin e Pantiçit.
Autoritetet e Kosovës kanë thënë se kanë kapacitete për heqjen e barrikadave, por se janë duke i dhënë kohë misionit të NATO-s, KFOR, që të bindë komunitetin lokal që t’i zhbllokojë vetë rrugët./Telegraf