Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky mori duartrokitje të vazhdueshme në Kapitol Hill për fjalimin e tij në një seancë speciale të Kongresit në një përpjekje për të bindur ligjvënësit dhe senatorët amerikanë që të vazhdojnë financimin e luftës ndaj vendit të tij, për tu mbrojtur nga pushtuesit rusë.
Pas takimit që ai pati në Shtëpinë e Bardhë me presidentin amerikan Joe Biden, Zelensky u thirr për t’iu drejtuar një auditori dypartiak, në udhëtimin e tij të parë të jashtë Ukrainës që kur Rusia nisi pushtimin e saj në fund të shkurtit.
Disa sekonda brohoritje vazhduan ndërsa Zelensky arriti në podium, disa deputetë i shtrënguan dorën. Ai tha se Ukraina mund ta fitojë luftën kundër një ushtrie ruse të armatosur më mirë, por shtoi se ndihma ushtarake dhe financiare e SHBA-së është “vendimtare” për të arritur fitoren përfundimtare.
“Mbrojtja e Ukrainës nuk është vetëm për jetën, lirinë dhe sigurinë e ukrainasve. Ajo do të përcaktojë nëse do të ketë demokraci për ukrainasit dhe amerikanët. Lufta nuk mund të ngrihet ose shtyhet, nuk mund të injorohet, duke shpresuar se oqeani ose diçka tjetër do të sigurojë mbrojtje.”, tha Zelensky.
Udhëtimi i Zelenskyt në SHBA u bë në kohën kur Kongresi po përgatitet të votojë një projekt-ligj gjithëpërfshirës të shpenzimeve, që përfshin edhe një dispozitë për ndarjen e rreth 45 miliardë dollarëve ndihmë ushtarake për Ukrainën.
Projektligji pritet të miratohet, por mbështetja e SHBA-së për Ukrainën është zbehur, derisa lufta 10-muajshe vazhdon të zvarritet dhe amerikanët ndjejnë barrën e inflacionit të lartë.