Gjykata vendosi sot që të linte në arrest shtëpie Vasil Bollanon. Ish-kryetari i Bashkisë Himarë u shoqërua me efektivë policie nga spitali i Vlorës deri në gjykatë, ku u njoh me masën e sigurisë pas aksidentit të dy ditëve më parë, ku përplasi një 17-vjeçar i cili ndërroi jetë më vonë në spital.
Ai ka qenë i shtruar në spital pas aksidentit me pretendimin se “vuan nga leucemia dhe diabeti dhe është çuar atje me hipertension të lartë”. Kamerat shoqëruan momentin kur efektivët e morën nga spitali në drejtim të gjykatës. Njëri nga efektivët në njërën dorë mbante një çantë, e cila nuk dihet se çfarë kishte brenda.
Aksidenti ndodhi mbrëmjen e së mërkurës pranë fushës së sportit në Qafën e Llogorasë, teksa 17-vjeçari ishte duke kaluar në rrugë.
Adoleshenti ndërroi jetë në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku u transportua pas aksidentit, pasi nuk i mbijetoi plagëve të marra nga përplasja.
Ai përfundoi në koma gjatë kohës që ishte shtruar në spitalin e Himarës dhe më pas u transportua drejt spitalit të Traumës në Tiranë, ku edhe ndërroi jetë në orën 02:00 pas mesnatës.