Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar me 27 dhjetor se ka vizituar disa njësi të Ushtrisë së Serbisë “diku midis Kralevës dhe Rashkës”, dhe paralajmëroi një takim me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova, por pa dhënë më shumë detaje.
Në Rashkë – komunë që gjendet afër kufirit me Kosovën – Vuçiq tha se takoi shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Serbe, Milan Mojsiloviq.
“Unë besoj në drejtësi dhe ligj, por më shumë se çdo gjë në urtësinë, por edhe forcën dhe vendosmërinë serbe”, shkroi ai në Instagram.
Vuçiq ka urdhëruar dje që forcat e armatosura dhe njësitë policore të jenë në nivelin më të lartë të gatishmërisë luftarake.
Më herët gjatë ditës, ai tha se janë duke folur “me të gjithë” dhe janë duke “bërë gjithçka për të ruajtur paqen dhe stabilitetin”, për të gjetur një zgjidhje kompromisi.
Më 27 dhjetor, në veri të Kosovës janë vendosur dy barrikada të reja.
Barrikadat e tjera janë të vendosura kryesisht në rrugë magjistrale që çojnë drejt pikëkalimeve kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën dhe Serbinë.
Serbët lokalë që 18 ditë kanë ngritur barrikada në veri, në shenjë pakënaqësie me arrestimin e ish-policit serb të Kosovës, Dejan Pantiq. Autoritetet në Kosovë kanë thënë se ai dyshohet për organizimin e sulmit të 6 dhjetorit ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri./REL