Qytetarët e mbledhur thanë se po protestojnë kundër politikave “destabilizuese dhe luftënxitëse nga Serbia”. Aktivistët e shoqërisë civile kërkuan nga Qeveria e Shqipërisë që të kushtëzojë marrëdhëniet me Serbinë dhe të ngrijë të gjitha marrëveshjet e nënshkruara midis dy shteteve.
Në protestën, që u mbyll qetësisht, qytetarët mbajtën disa pankarta me mesazhe sikurse “Jetën e japim, Mitrovicën nuk e japim”, “Gjithë trojet shqiptare janë me ty Kosovë”, “Trepça dhe Ujmani janë pasuri e Kosovës”, e të tjera.
Ndërkohë këtë të enjten është paralajmëruar edhe largimi i barrikadave nga rrugët e pjesës veriore të Kosovës.
Lajmi për largimin e barrikadave u bë i ditur mbrëmjen e 28 dhjetorit, pasi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, takoi përfaqësuesit e serbëve të Kosovës.
Largimi i barrikadave ishte kushtëzuar me lirimin nga paraburgimi të ish-policit të Kosovës, Dejan Pantiç, i cili u arrestua për dyshimet se kishte organizuar sulmin e kryer ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Kosovës në pjesën veriore në fillim të muajit dhjetor.