Kryeministri, Albin Kurti, në një intervistë për KosovaPress thotë se s’ka pasur asnjë marrëveshje të fshehtë me Serbinë për largimin e barrikadave në veri.
Ai thekson se garancia e vetme që i kanë dhënë ndërkombëtarëve ka qenë se s’ka lista për arrestime në veri. Kreu qeveritar e mohon kategorikisht se ka dhënë garanci për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Kurti për KosovaPress thotë se për shtensionimin e situatës në veri ka pasur takime vetëm me KFOR-in, EULEX-in dhe ambasadorët e QUNIT-it, veçmas atë amerikan.
Siç thotë ai, ditët e fundit ka pasur angazhim të shtuar të tyre për largimin e barrikadave, pasi Policia e Kosovës ka treguar vendosmërinë për t’i larguar ato.
Megjithatë, ai thotë se është bërë mirë që barrikadat i hoqën vet, sesa të detyrohej ta bënte Policia e Kosovës. Derisa tregon edhe grupet kriminale që kanë qenë prapa barrikadave në veri.
Sipas tij, garancia e vetme që i kanë dhënë ndërkombëtarëve është që s’ka lista për arrestime. Siç thotë Kurti, garancia të tjera për institucionet e Kosovës janë Kushtetuta, rendi dhe ligji, por edhe koordinimi me aleatët ndërkombëtar.
Ndërkaq, mohon se ka dhënë garanci për themelimin e Asociacionit të komunave serbe. Ai thotë se ata që bënë “asociacion të barrikadave’ po kërkojnë asociacion të komunave, që komunat t’i duan si barrikada dhe të njëjtat t’i bëjnë bashkë.
Sa i përket kritikave që presidenti serb, Aleksandër Vuçiq nga Rashka po merr vendime për çështjen e barrikadave, Kurti thotë se Lista Serbe vazhdimisht është shkuar në Serbi për konsultime politike.
Në lidhje me polarizimet me sistemin e drejtësisë pas lirimit të masës së sigurisë të ish policit serb të arrestuar për terrorizëm, Kurti thotë se ai nuk ka menduar se dikush i akuzuar për terrorizëm të dërgohet në arrest shtëpiak.