Të gjitha barrikadat në veri të Kosovës janë hequr, përveç dy kamionëve që po qëndronin në barrikadën afër vendit të njohur si “Kërrshi i Dudës”, në veri të Mitrovicës, të cilët u dogjën natën e së mërkurës dhe së enjtes.
Heqja e barrikadave ka filluar dje, pasi përfaqësuesit e serbëve kanë biseduar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i cili u ka thënë se kanë marrë garanci të forta se njerëzit nga barrikadat nuk do të arrestohen dhe se FSK-ja nuk mund të shkojë në veri pa lejen e KFOR-it.
Dy pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak vazhdojnë të jenë të mbyllura. Sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar në pikat tjera kufitare nuk ka pritje të gjata as në hyrje të Kosovës e as në dalje.