-sidi education-spot_img
11.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Pëllumb Nako: Samiti i Tiranës dhe heqja e vizave për kinezët

Kryesoret

Samiti i Këshillit Evropian në Tiranë pa dyshim mbetet ngjarje kulmore për vendin tonë, madje edhe për rajonin i cili i është nënshtruar procesit për të qenë një ditë pjesë përbërëse e Bashkimit Evropian.

Qeveria nga ana e saj nuk kishte sesi të mos e raklamonte këtë fakt si arritje të saj, si sukses të Shqipërisë në rrugëtimin Evropian. Por a mjafton vetëm me kaq? Para mbledhjes së samitit në Tiranë, Komisioni Evropian bëri publike edhe axhendën e diskutimeve dhe të tematikës që do të trajtohej në të. Në këtë axhendë të botuar në të gjitha mediat e vendit tonë, në pikën e fundit thuhet shprehimisht: “E fundit, por jo për nga rëndësia, do të diskutohet menaxhimi i emigracionit, ku udhëheqësit do të shkëmbejnë pikëpamjet për trajtim të përbashkët të problemit që është gjithmonë më rritje. Kjo pikë përfshin edhe harmonizimin e politikës së vizave të vendeve të BE-së dhe bashkëpunimin në sistemet e kthimit”.

Nëse në aspektin financiar, Bashkimi Evropian ka rritur unifikimin nëpërmjet monedhës Euro dhe nëpërmjet Shengenit rrëzimin e kufijve të saj të brendshëm, në drejtim të politikave migratore në përgjithësi organizmi ka ende mjaft dallime dhe po aq përpjekje për të shkuar gjithmonë drejt harmonizimit maksimal të saj. Për politikat në fjalë është vepruar dhe ecur para gradualisht nëpërmjet harmonizimit të komponentëve të caktuar. Më konkretisht, harmonizimi është arritur në drejtim të politikës që ndiqet nga tërësia e vendeve të hapësirës Shengen në raport me vizat afatshkurtra për vendet e treta. Tashmë njihet gjerësisht lëshimi i një vize afatshkurtër të përbashkët të të gjitha vendeve ku janë rrëzuar kufijtë e brendshëm evropianë, pra, vizat Shengen.

Aktualisht, janë rreth 61 vende të treta, të cilët kanë nevojë për viza afatshkurtër për të hyrë në vendet e hapësirës Shengen. Në këtë listë përfshihet edhe Kina. Qytetarët kinezë, pra, kanë nevojë për një vizë afatshkurtër për të hyrë në vendet në fjalë. Ndërkohë vetëm pak ditë pas mbledhjes së Samitit të BE-së në Tiranë ku axhenda përmbante, siç u citua më lart, edhe diskutimin e harmonizimit të politikës së vizave, Shqipëria vendi mikpritës, në rrugën e hapjes së negociatave, ndërmerr ekzaktësisht një hap diplomatik tërësisht në kundërshtim me frymën e harmonizimit të politikave migratore të Bashkimin Evropian.

Nëpërmjet një vendimi të qeverisë, Shqipëria i përjashton qytetarët kinezë nga detyrimi për vizë afatshkurtër për të hyrë në vendin tonë. Çdokush mund të thotë me plot gojën se Shqipëria ende nuk është pjesë e Bashkimit Evropian. Ndaj ndryshe nga vendet anëtare të tij që kanë të deleguar një pjesë të sovranitetit, ajo është vend tërësisht sovran. Për këtë arsye, në kuadrin e interesave që ka, Shqipëria mund të ndërmarrë hapa diplomatikë në favor të saj dhe në raport me këtë apo atë vend duke i lehtësuar hyrje-daljen në territorin e saj. Në rastin konkret, sipas këtij arsyetimi, Shqipëria nuk është e detyruar të harmonizohet me vendet e Bashkimit Evropian në raport me politikat migratore dhe të mbajë Kinën në listën e vendeve që duhet të pajisen me vizë afatshkurtër për të hyrë në vendin tonë.

A është normal një qëndrim i tillë, ndërkohë që në pritje të hapjes së negociatave, vendi ynë ka filluar tashmë procesin e përafrimit ligjor të tij me atë të Bashkimit Evropian? Si do të ecë para vendi drejt integrimit, nëpërmjet qëndrimeve ultimative të Komisionit Evropian për të ndalur këtë apo atë vendim të qeverisë, apo nëpërmjet harmonizimit të hapave të saj sipas frymës evropiane dhe negociatave me të? Pasaportat e arta dhe regjimi i vizave me Kinën tregojnë se objektivi politik i vendit për të hyrë në Bashkimin Evropian përplaset me interesa të tjera të qeverisë, interesa këto jashtë atyre të harmonizuara nga politikat e ndjekura nga vendet e Bashkimit Evropian.

Në thelb duket qartë që para politikës aktuale të Shqipërisë qëndron sfida nëse vendi do të sillet si pjesë e Bashkimit Evropian në kohën kur do të jetë i anëtarësuar në këtë organizëm, apo çdo hap që ai do të hedhë aktualisht para anëtarësimit, gjatë procesit e negociatave, do të jetë plotësisht i harmonizuar me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian. Në rastin që po flasim aktualisht, Shqipëria duhet të jetë tërësisht e pavarur në politikën e saj të migracionit apo ta organizojë të harmonizuar që tani me atë të Bashkimit Evropian?

Përgjigjja e pyetjes kërkon reflektim të qartë dhe serioz dhe jo shashka të hedhura mediatikisht apo hapa që flasin për interesa të cilat vetëm në favor të Shqipërisë nuk janë. Çështjet e migracionit në rajonin, ku bën pjesë vendi ynë, janë të lidhura ngushtë me sigurinë të fqinjit të madh, në derën e të cilit po trokasim të hyjmë si dhe me aftësitë e vendeve të Ballkanit Perëndimor për të ndaluar flukset e parregullta migratore të dynden drejt Evropës. Ndërkohë është tashmë fakt se vende të tjera të zonës sonë si Serbia janë kthyer në problem për hapësirën Shengen, pikërisht për shkak të politikës së vizave që ndjek ky vend.

Problemi nuk lidhet thjesht me favorizimin e këtij apo atij vendi, por me pasojat e saj kur kjo politikë e ndjekur kthehet në burim emigracioni të parregullt që drejtohet drejt vendeve Shengen. Dhe raste të tilla ka edhe vendi ynë, edhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Në një kontekst të tillë, nga njëra anë kemi solidaritetin evropian që i beson vendeve në kufijtë e tyre të jashtme, sigurinë e tyre të brendshme, dhe nga ana tjetër vende fqinjë që me politikat e tyre migratore, me paaftësinë për shkaqe të njohura për të menaxhuar flukset migratore të rregullta dhe të parregullta, kthehen në burim kërcënimi për të parët. Thelbi i të kuptuarit në këtë rast mbetet i dukshëm.

Nëse vendet fqinje të Bashkimit Evropian siç janë ato të Ballkanit Perëndimor ndërmarrin hapa politikë, të cilët direkt ose indirekt kërcënojnë sigurinë e hapësirës Shengen, politikat e ndjekur prej tyre nuk paraqet frymë evropiane dhe nuk është e karakterizuar nga solidariteti faktik me to. Hyrja e Shqipërisë në Bashkimin Evropian nuk duhet të jetë vetëm çështje negociatash, por në radhë të parë të jetë e lidhur me frymën evropiane që duhet të karakterizojë çdo hap të politikës shqiptare.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit