Presidenti Bajram Begaj përmes një mesazhi të gjatë uroi sot shqiptarët për Vitin e Ri që po troket. Në fjalën e tij kishte shumë çështje që prekte, mes tyre edhe Kosova. Kreu i shtetit shqiptar nuk kishte folur deri tani për situatën e tensionuar në Kosovë.
Mesazhin e parë e dha sonte, pasi foli e gjithë bota dhe barrikadat u hoqën. Madje edhe sonte, kryefjalë ishte urimi për Vitin e Ri dhe brenda tij ishte “fshehur” situata në Kosovë.
“Duhet të jemi të vetëdijshëm për rolin tonë të pazëvendësueshëm si faktor stabiliteti dhe sigurie në hapësirën ku jetojmë. Situata e rëndë dhe e patolerueshme e krijuar në Veri të Kosovës duhet të marrë fund.
Provokimet dhe gjuha e kërcënimeve nuk janë gjuha me të cilën mund të flitet, vetëm dialogu dhe respektimi i integritetit të Republikës së Kosovës janë rruga e vetme e zgjidhjes së problemeve.
Shqipëria do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në rrugën e saj të integrimit euroatlantik, për anëtarësimin, sa më të shpejtë të saj në NATO dhe në Bashkimin Evropian” shkruan ai.
Presidenti uron Vitin e Ri: Lufta jonë nuk është me njëri-tjetrin, me korrupsionin