Rusia goditi me një sërë dronësh Ukrainën, në një tjetër natë sulmesh, thanë zyrtarët të hënën, ndërsa Kremlini ka dhënë sinjale se nuk heq dorë nga strategjia e saj për të sulmuar me bomba infrastrukturën civile.
Goditjet me dronë janë në vazhdën e sulmeve të ngjashme ruse në fund të vitit që u mbyll dhe fillimit të vitit të ri, përfshirë një sulm që shkaktoi vdekjen e 3 civilëve natën e ndërrimit të viteve.
Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko tha të hënën se 40 dronë u drejtuan drejt Kievit gjatë natës. Sipas trupave të mbrojtjes ajrore, të gjithë dronët u shkatërruan.
Zoti Klitschko tha se 22 dronë u shkatërruan mbi Kiev, tre në rajonet afër Kievit dhe 15 në provincat fqinje.
Sipas kryebashkiakut, disa objekte të instrastrukturës energjetike u dëmtuan si pasojë e sulmit. Një 19 vjeçar mbeti i plagosur dhe u shtrua në spital, tha zoti Klitschko, ndërkohë që pati edhe ndërprerje të energjisë elektrike në Kiev.
Që prej muajit tetor, Rusia ka kryer sulme ajrore mbi infrastrukrurën e energjisë dhe të ujit të Ukrainës, thuajse çdo javë.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy ka akuzuar Rusinë për “terrorizëm energjetik” pasi sulmet ajrore me bomba kanë lënë shumë njerëz pa ngrohje në tempertatura tejet të ulta.
Zyrtarët e Ukrainës thonë se Moska po përdor të ftohtin si armë për të demoralizuar rezistencën ukrainase.
Ukraina po përdor armë të sofistikuara të dërguara nga Perëndimi për të rrëzuar raketat dhe dronët të Rusisë, si dhe për të dërguar zjarr artilerie në zonat e kontrolluara nga Rusia.