BE ndodhet larg autonomisë strategjike, megjithëse në një botë krizash dhe me rënien e mbështetjes së SHBA, ajo do të jetë më e pavarur. Por duket se është më e lehtë të flitet për autonomi në BE se sa të bëhet realitet.
Në Berlin dhe Bruksel u dëgjua një psherëtimë lehtësimi, kur në nëntor u bë i ditur rezultati i zgjedhjeve të ndërmjetme në SHBA. Kalimi i pushtetit tek republikanët në Kongresin Amerikan nuk doli aq sa pritej. dhe ish-presidenti amerikan, Donald Trump është më i dobët pas këtyre zgjedhjeve.
Nën Donald Trump marrëdhëniet transantlantike u ftohën. Por europianët nuk duhet të gëzohen shpejt, thotë Thorsten Benner, drejtor i Institutit “Global Public Policy” në Berlin.
Në një koment për Deutsche Wellen, Benner shkroi se “Joe Biden me gjasë do të hyjë në histori si transatlantiku i fundit.” Epoka e mbështetjes zemërgjerë në politikën e sigurisë ka marrë fund, pavarësisht se kush zgjidhet president në të ardhmen në Shtëpinë e Bardhë, kjo sepse në të ardhmen SHBA do të përqëndrohet shumë më tepër tek Kina.
Autonomia strategjike – pjesë e programit qeveritar të Berlinit
Një SHBA që shkëputet ngadalë nga Europa, një Kinë si fuqi botërore gjithnjë e më agresive, një Rusi e Putinit që sulmon një shtet të pavarur pa arsye – kjo është situata gjeopolitike në të cilën gjenden europianët. Lufta në Ukrainë erdhi papritur gati për të gjithë, por zhvillimet e tjera jo.
Në BE dhe kryeqytetet e tjera europiane janë nxjerrë ndërkohë konkluzionet: përgjigja ndaj këtyre zhvillimeve është përmbledhur në shprehjen “autonomi strategjike” – që nënkupton që BE duhet të veprojë e pavarur nga fuqitë e tjera botërore në aspektin politik, ushtarak, dhe ekonomik.
Josep Borrell, i ngarkuari për Politikën e Jashtme të BE, në një analizë për Europën ka shkruar, se Europa kërcënon të “humbasë rëndësinë”. Ai e argumenton këtë me rënien e peshës politike të Europës në botë.
“Para 30 vjetësh një çereku i mirëqenies botërore ishte në kontinentin tonë. Pas 20 vjetësh pjesa jonë në kapacitetin ekonomik botëror do të përfshijë më së shumti 11%. Autonomia strategjike është “çështje e mbijetesës” për BE.
Edhe në marrëveshjen e koalicionit të qeverisë gjermane të vitit 2021 theksohet se “duam të rrisim sovranitetin strategjik të Europës (…) Qëllimi ynë është një BE sovrane si aktore e rëndësishme në një botë të përcaktuar nga pasiguria dhe konkurrenca e sistemeve.”
Kritika ndaj vetëkënaqësisë gjermane
Por në cilën fazë ndodhen BE dhe Gjermania përgjatë kësaj rruge? European Council on Foreign Relations, (ECFR) publikon indeksin e sovranitetit europian që mat sovranitetin në fushën e mbrojtjes, ekonomisë, shëndetit, migracionit, teknikës dhe klimës konstaton një masë të madhe sovraniteti në drejtim të ekonomisë dhe shëndetit, jep vlerësim të kënaqshëm në drejtim të mbrojtjes, klimës dhe migracionit.
Problematike duket fusha e teknologjisë. Në këtë pikë BE është shumë e varur. Në qershor 2022 u mat çdo vend europian dhe se çfarë kontribuon në sovranitetin e Europës. Gjermania ka dalë më mirë në këtë hulumtim të ECFR, për shkak se është e fuqishme në shumë sektorë dhe investon në “aftësinë vepruese të Unionit” dhe publikisht kërkon sovranitet europian.
Por një minus të madh e ka edhe Gjermania: Megjithë fuqinë ekonomike, në drejtim të kontributit për sovranitetin europian ky vend renditet i pesti. Në hulumtim thuhet se kjo “reflekton pjesërisht vetëkënaqësinë gjermane në drejtim të varësisë nga Rusia dhe Kina”. Autorët e studimit janë të mendimit, se Gjermania duhet ende të mësojë nga gabimet e së shkuarës.
Jo të gjithë në Europe me të njëjtin qëllim
Europa është ende larg arritjes së autonomisë strategjike, është i mendimit Henning Hoff nga Shoqata Gjermane për Politikën e Jashtme. “Në politikën e mbrojtjes dhe sigurisë, këtë e tregoi sulmi rus ndaj Ukrainës, europianët janë të varur nga amerikanët.”
Kjo vlen si për kërcënimin nuklear, si edhe për forcat e armatosura konvencionale. “Nuk ka dyshim: Nëse Ukraina do të ishte varur tek Europa, sot ky vend nuk do të ekzistonte më.”
Presidenti francez, Emmanuel Macron kërkon pavarësim të Europës në çështjet ushtarake. Franca është i vetmi vend në BE me armë atomike pas largimit të Britanisë së Madhe nga BE. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg në fillim të dhjetorit në Konferencën e Sigurisë të Berlinit ka paralajmëruar nga një pavarësim europian në politikën e mbrojtjes.
“Unë nuk besoj tek ‘Europa vetëm’ dhe as tek ‘”Amerika vetëm’”, tha ai. Vetëm NATO mund të garantojë sigurinë. Ai kujtoi se vendet e BE japin vetëm 20% të shpenzimeve të mbrojtjes në NATO; 80% vijnë nga SHBA, Britania e Madhe, Kanadaja apo Turqia.
Europianët po ashtu janë të përçarë, kur vjen fjala për autonominë ushtarake: nëse do të pyeteshin vendet baltike dhe Polonia, duhet që SHBA dhe NATO të luajnë një rol të fuqishëm në Europë. Mihai Chihaia nga instituti i Brukselit, European Policy Center beson, se interesat e ndryshme janë të pajtueshme. “Një BE më e aftë do të kontribuonte në sigurinë transatlantike dhe do të plotësonte NATO-n.”
Interesat e Kinës për portet
Në drejtim të autonomisë strategjike nuk bëhet fjalë vetëm për sigurinë dhe mbrojtjen.
Politika e tregtisë dhe e industrisë, financat dhe investimet janë po ashtu me rëndësi. Europianët kanë mbajtur lart multilateralizmin dhe tregtinë e lirë, edhe kundër Trumpit. Por ndërkohë edhe Josep Borrell e pranon, se “mpleksja ekonomike do të jetë shumë konfliktuoze në anën politike”: në kohën e pandemisë u ndërprenë rrjetet e furnizimit; Kina krijon me vetëdije varësi; Rusia mund të ndalë kur të dojë rubinetin e gazit.
Tek sektorët që duhen mbrojtur veçanërisht në marrëveshjen gjermane të koalicionit bën pjesë furnizimi me energji. Se sa e varur është Gjermania në këtë pikë e tregoi lufta e Ukrainës. Po sot? A ka mësuar Gjermania? Kritikët e akuzojnë kancelarin Scholz, se ai pa nevojë lejoi marrjen e pjesshme të teminalit të portit të Hamburgut nga një firmë kineze, Cosco, duke u futur në varësi.
“Pikërisht këtu nevojitej një përgjigje europiane më mirë, si për shembull një “iniciativë europiane e portit’, që do të siguronte që firmat kineze nuk ia kundërvënë njëri.tjetrit portet, ose bëjnë presion”, thotë studiuesi Henning Hoff. Nga ana tjetër pas kësaj qeveria gjermane refuzoi dy investitorë kinezë që donin të blinin sipërmarrje elektronike gjermane.
Pakënaqësi gjermano-franceze
Tradicionalisht Gjermania dhe Franca ndjehen si partnerë të ngushtë, edhe në drejtim të autonomisë strategjike. Si Gjermania ashtu edhe Franca e shikon veten “si promotore të autonomisë strategjike europiane”, sidomos në drejtim të mbrojtjes. Por pikërisht këtu ka probleme.
Në projektin e përbashkët të avionëve luftarakë, FCAS të dyja palët ecin shumë ngadalë përpara. Edhe në projekte të tjera ka zhgënjime. Hoff kritikon, që qeveria gjermane nuk e merr sa duhet parasysh që:
“ajo që mendohet se është veprim vetanak kombëtar në të vërtetë ka gjithmonë pasoja europiane. Dhe duhet të koordinohet gjithmonë me Francën”.
Sipas tij Scholz nuk e ka gjetur rolin e tij në skenën europiane. Nëse nuk shuhen mospajtimet në marrëdhënien gjermano-franceze, atëherë do të jetë shumë më e vështirë arritja e autonomisë europiane.”
E gjithë BE ka një rrugë të gjatë përpara, shprehet Mihai Chihaia nga European Policy Centre në Bruksel. “Objektivi është realist. Besoj, se nëse do të përballemi me problemet aktuale të sigurisë, nuk të mbetet gjë tjetër, veçse të kesh këtë objektiv.” /DW
/5pyetjet.al