Niveli më i ulët i të ardhurave për frymë në Europë reflektohet në mënyrën se si familjet shqiptare i shpenzojnë paratë, që kanë në dispozicion, për të kaluar muajin. Të dhënat e Eurostat bëjnë të ditur se pjesa më e madhe e buxhetit të një familjeje shqiptare shkon për ushqime, që është shpenzimi minimal i domosdoshëm për të jetuar.
Në vitin 2020, kur janë të disponueshme të dhënat e fundit për Shqipërinë, një familje normale shpenzonte 43.6% të totalit për ushqime. Për një familje europiane, sigurimi i ushqimit nuk është aspak një problem.
Europianët shpenzojnë më shumë për mirëmbajtjen e shtëpisë me 25% të totalit, përkundrejt 13% tek ne, për shkak të faturave më të larta të dritave e ujit dhe qirave më të shtrenjta.
Për transport, kjo peshë është 12.1%, pothuajse sa dyfishi i Shqipërisë për shkak të numrit më të lartë të automjeteve në raport me popullsinë (sërish tregues i mirëqenies), distancave më të gjata dhe lëvizjeve më të shpeshta në fundjavë.
Ndonëse më të varfra, Familjet shqiptare shpenzojnë për arsimimin e fëmijëve të tyre (2.6% të mesatares, përkudrejt 0.9% të Europës), teksa Europa ka sistem të mirë të arsimit publik, ndërsa në Shqipëri vitet e fundit është rritur numri i universiteteve private.
Shëndeti është një tjetër shpenzim i domosdoshëm, sidomos në vitin e pandemisë. Në 2020-n, shpenzimet për shëndet për familjet shqiptare arritën rekordin e 5.6%, nga 4.9% vitin e mëparshëm, në një tregues se kurimi i Covid u përballua nga xhepi (sipas INSTAT, pesha e shpenzimeve për shëndet mbeti e pandryshuar dhe në 2021).
Ndërsa të dhënat e Eurostat tregojnë diferenca për ndarjen e shpenzimeve buxhetore, si psh sipas Eurostat familjet shqiptare shpenzojnë më shumë sesa raporton INSTAT për ushqime, banesën, argëtim dhe kulturë, shëndet, më pak për komunikim, restorante e hotele. /monitor