Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka akuzuar Rusinë se po kërkon një armëpushim në mënyrë që të ndalojë avancimin e trupave ukrainase në rajonin e Donbasit dhe të forcojë forcat pushtuese. Rusia propozoi një armëpushim nga ora 12:00 e 6 janarit deri në mesnatën e 7 janarit që do të përkonte me Krishtlindjet, siç festohej në kalendarin e vjetër.
“Ata tani duan të përdorin Krishtlindjet si pretekst për të ndaluar përparimin e njerëzve tanë në Donbas dhe për të sjellë pajisje, municione dhe trupa,”- tha Zelensky, ndër të tjera, në fjalimin e tij standard të filmuar.
Presidenti i Ukrainës theksoi se lufta “do të përfundojë vetëm kur ushtarët tuaj të largohen ose ne t’i dëbojmë”.
Ukraina iu referua urdhrit të Putin si “hipokrizi” pasi më herët reagoi me cinizëm ndaj apelit të Patriarkut Kiril për një armëpushim. Mykhailo Podolyak, një ndihmës i lartë i presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy, e cilësoi Kishën Ortodokse Ruse si një “propagandiste lufte” që kishte nxitur “vrasjen masive” të ukrainasve .
“Deklarata e Kishës Ortodokse Ruse për ‘Armëpushimin e Krishtlindjeve’ është një kurth cinik dhe një element propagande,”- tha ai.
Nuk pati asnjë përgjigje të menjëhershme publike nga Shtetet e Bashkuara, që së bashku me aleatët e saj perëndimorë kanë furnizuar me armatime forcat e Kievit për të shmangur pushtimin rus.









