Policia e Kosovës përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se ka përfunduar protesta në komunën e Shtërpcës.
Policia gjithashtu ka bërë të ditur se rruga Shtërpcë-Prevallë tashmë është liruar për qarkullim.
“Ju njoftojmë se në ora 12:30 ka përfunduar protesta që ishte paralajmëruar të mbahej në Shtërpcë. Protesta ka kaluar e qetë dhe nuk është raportuar për incidente. Tani, rruga rajonale Shtërpcë – Prevallë është e lirë për qarkullimin e automjeteve”, njofton policia.
Në Shtërpcë është mbajtur protesta lidhur me plagosjen e dy të rinjve të nacionalitetit serb që ndodhi të premten më 6 janar.
Të pranishmëve u është drejtuar me një fjalë rasti, kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç dhe kryetari i kësaj komune Dalibor Jevtiç.
Rakiç ka drejtuar kritika ndaj kryeministrit Albin Kurti duke thënë se “regjimi i tij është edhe në Shtërpcë siç ishte edhe në veri”.
“Jemi këtu, pas 20 ditëve të qëndrimit të vëllezërve tonë në barrikada në veri të Kosovës. Regjimi i Kurtit është në Shtërpcë ashtu siç është në veri. Siç e shihni nuk jemi të lodhur, për 20 ditë nuk e kemi sulmu asnjë shqiptarë me qëllimin që të mos japim arsye shqiptarëve – qeverisë Kurti për sulme. Ata duhet të ofrojnë siguri e jo të na frikësojnë”, ka thënë Rakiç.
Ai u ka kërkuar qytetarëve serb të mos dorëzohen. “Mesazhi ynë është që mos të dorëzohemi”, ka thënë ndër të tjera Rakiç.
Ndërkaq kryetari i Shtërpcës, Dalibor Jevtiç u shpreh se “Kurti duhet të ndaloj sulmet ndaj fëmijëve tonë”.
“Duam ta dërgojmë mesazhin se askush s’mund të na prek dhe të na largoj. Rezultati aktual i qeverisjes është që të na sulmojnë. Kurti duhet të ndaloj sulmet ndaj fëmijëve tonë”, ka thënë Jevtiç.