-sidi education-spot_img
4.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

A është afër një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë?

Kryesoret

Situata në Kosovë ka qenë tejet e tensionuar në fund të vitit 2022, si pasojë e barrikadave të vendosura nga serbët lokalë në pjesën veriore të Kosovës.

Kjo formë proteste është nxituar si pasojë e arrestimit të ish-zyrtarit serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, në Kosovë.

Pas presionit të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, Pantiqit i është shqiptuar masa e arrestit shtëpiak, me qëllim të uljes së tensioneve.

Më 29 dhjetor, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq është zotuar se të gjitha barrikadat do të hiqen.

Këto tensione kanë qenë të ngjashme me ato të nëntorit, kur qindra serbë lokalë, që kanë punuar në polici, gjyqësor e sektorë tjerë, kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre, si shenjë proteste ndaj vendimit të Prishtinës për të ndaluar përdorimin e targave të makinave, të cilat i lëshojnë autoritetet e Serbisë.

Kriza e fundit e ka përfshirë edhe NATO-n, pasi Serbia ka nisur kërkesë te misioni i aleancës veri-atlantike në Kosovë, KFOR, që të angazhojë forcat e saj në Kosovë.

NATO-ja, e cila ka prezencë në Kosovë prej vitit 1999, e ka injoruar këtë thirrje dhe ka thënë publikisht se ka kapacitete të mjaftueshme.

Ky mision, ndërkohë, ka ndihmuar në heqjen e barrikadave – e fundit është larguar më 5 janar.

Ndonëse Brukseli është i shqetësuar për situatën e muajve të fundit, shumë diplomatë më kanë thënë se këto situata japin indikacione që Prishtina dhe Beogradi janë duke iu afruar marrëveshjes politike, duke përmendur si afat muajt e ardhshëm.

Të dyja shtetet janë bllokuar në këtë proces dialogu – i cili parasheh normalizim të marrëdhënieve – prej vitit 2011.

Deri më tani ky proces ka prodhuar pak rezultate konkrete.

Megjithatë, ndryshimi i situatës së sigurisë në Evropë prej shpërthimit të luftës në Ukrainë, duket se i ka ndryshuar parametrat.

Duke folur në kushte anonimiteti, diplomatët evropianë kanë thënë se Serbia, e cila deri më tani nuk u është bashkuar sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë, është duke ndjerë presionin, pasi Kremlini është duke u përballur me humbje të mëdha në Ukrainë.

Një situatë e tillë natyrisht se e ka ulur entuziazmin e BE-së për pranimin e Serbisë në bllokun evropian.

Sa i përket Kosovës, hapat e saj në rrugën drejt Brukselit janë të vegjël.

Në fund të vitit 2022, vendet anëtare te BE-së më në fund kanë arritur pajtueshmëri për të finalizuar procesin e liberalizmit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Ky vendim pritet të hyjë në fuqi në janar të vitit 2024.

Në dhjetor të vitit 2022, Kosova po ashtu ka aplikuar për anëtarësim në BE.

Komisioni Evropian pritet të analizojë gjatë këtë aplikim, pasi në BE janë pesë vende që ende nuk e njohin shtetësinë e Kosovës.

Si zyrtarët amerikanë, ashtu edhe ata të Bashkimit Evropian, do të udhëtojnë në rajonin e Ballkanit në janar.

Në fund të vitit të kaluar, autoriteteve në Kosovë dhe Serbi u është dorëzuar një plan i Bashkimit Evropian, që në publik njihet si plani franko-gjerman.

Në draftin e këtij propozimi, nuk përmendet njohja reciproke, por ai duket se shërben si platformë drejt një marrëveshjeje më gjithëpërfshirëse.

Ndoshta pjesa më e rëndësishme e propozimit është ajo që “të dyja palët duhet të njohin dokumentet dhe simbolet kombëtare të njëra-tjetrës, përfshirë pasaportat, diplomat, targat e makinave dhe vulat doganore”.

Një tjetër pjesë e propozimit, që pritet t’i shkojë për shtati Prishtinës, është që Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në çfarëdo organizate ndërkombëtare – një problem i madh prej kur Kosova e ka shpallur pavarësinë më 2008.

Ekziston edhe thirrja për këmbim të misioneve të përhershme, për mbështetje të aspiratave të njëra-tjetrës për anëtarësim në BE, dhe që të dyja palët të pajtohen që “nuk mund të përfaqësojnë njëra-tjetrën në sferën ndërkombëtare apo të flasin të emër të shtetit tjetër”.

Në draft ka edhe elemente që janë në anën e Serbisë.

Kosova duhet të formalizojë statusin për Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë dhe “të ofrojë mbrojtje të madhe për trashëgiminë kulturore dhe fetare serbe”.

Propozimi po ashtu përmend nevojën e “sigurimit të një niveli të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, duke përfshirë mundësinë për mbështetje financiare nga Serbia.”

Tash e një kohë, Serbia kërkon nga Kosova që të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe në pjesën veriore, duke përmendur marrëveshjen e arritur më 2013 në Bruksel për këtë gjë.

Ndonëse ende pa hyrë në fuqi, drafti i propozimit i BE-së, u kërkon të dyja palëve që të përmbushin zotimet e bëra tash e një dekadë./ REL

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit