Tre gra nga Ukraina, Irani dhe Turqia fituan më 9 janar çmimin për të drejtat e njeriut ‘Olof Palme’ që ndahet në Suedi. Ky çmim vjetor ndahet për kontribut në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të grave.
Marta Chumalo nga Ukraina, Narges Mohammadi e Iranit dhe Eren Keskin nga Turqia u nderuan për “përpjekjet e tyre në luftën për të siguruar lirinë e grave, në një epokë kur të drejtat e njeriut kërcënohen nga lufta, dhuna dhe shtypja”, tha Fondi Përkujtimor Olof Palme në një deklaratë.
Chumalo, një psikologe dhe feministe, u vecua si një nga themeluesit e organizatës joqeveritare “Perspektivat e Grave”, një OJQ që promovon të drejtat e grave dhe lufton dhunën ndaj grave.
“Që nga viti 2014, dhe veçanërisht që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia në vitin 2022, Marta Chumalo është përfshirë shumë në rritjen e ndërgjegjësimit për efektet e luftës dhe në adresimin e nevojave të viktimave të saj”, tha fondi.
Gazetarja dhe aktivistja për të drejtat e njeriut Mohammadi “ka qenë një figurë qendrore në luftën për të drejtat e grave dhe lirinë e fjalës në Iran”, tha juria.
Ajo ishte një nga themeluesit e Këshillit Kombëtar të Paqes iraniane. Përfshirja e saj në mbrojtjen e të drejtave të grave “ka çuar në arrestimin e saj të përsëritur dhe ajo ka vuajtur disa dënime me burg”.
Ajo ka qenë e burgosur që nga nëntori i vitit 2021 pasi u dënua për “veprimtari propagandistike kundër shtetit”, tha fondi.
Avokatja e të drejtave të njeriut Eren Keskin u nderua për dekada të tëra duke mbrojtur të diskriminuarit në vendin e saj, duke përfshirë “minoritetet etnike, pjesëtarët e LGBTQI+ dhe refugjatët”./REL