Kryeministri bëri të njohur një statistikë kriminale, sipas së cilës numri i vrasjeve në Shqipëri gjatë vitit 2022 ka një rënie prej 30 për qind të krahasuar me një vit më parë dhe se kjo shifër është më e ulëta gjatë këtyre dekadave postkomuniste. Në të njëjtën linjë ai nënvizoi gjithashtu edhe arritjen tjetër të lidhur me “realitetin e rënies së kriminalitetit”. Një fakt të tillë dhe me të drejtë ai ia njeh qeverisjes së tij.
Dhe, praktikisht, nëse u referohesh disa statistikave zyrtare të organeve tona kompetente, për vitin 2022 shënohet ulje jo vetëm për vrasjet, por edhe për veprën tjetër penale siç është vjedhja. Trendi në ulje i disa lloj veprave penale të karakterizuara nga dhuna (edhe vjedhja e thjeshtë perceptohet dhunë) dëshmojnë për një shoqëri, e cila po largohet gjithmonë e më shumë nga prodhimi i krimit të dhunshëm nga njëra anë dhe nga ana tjetër shënon rritje të parametrave të sigurisë së vendit. Megjithatë, të vetme, statistikat policore nuk janë në gjendje të japin atë që ndodh realisht. Në raste të tilla analiza duhet bërë larg demagogjisë triumfuese dhe po aq larg qëndrimeve kritizere duke parë me vëmendje faktorët që çojnë në bilance të tilla dhe që duhen analizuar me objektivitet.
Ndërkohë, nëse u referohemi disa statistikave të kriminalitetit shqiptar në shtetin fqinj italian, do të shohim se edhe në një mjedis social të ndryshëm nga ai i vendit tonë, ky kriminalitet ka një trend rënieje drastike në shumicën e llojeve të veprave penale nga viti 2019 deri më 2021. Pavarësisht se autoritetet kompetente të këtij vendi e lidhin me kohën e covid, por gjithsesi trendi është në ulje. Krahasimi i të dyja realiteteve të ndryshme ku jetojnë shqiptarët nxjerr qartë në dukje fenomenin se gradualisht bota kriminale e shqiptarëve po orientohet më pak drejt krimit të dhunshëm siç janë vrasjet, plagosjet dhe që nga ana statistikore e konstatimit janë më afër realitetit për mos të thënë në përputhje të plotë me të.
Por ndërkohë, në raport me krime të tjera siç janë për shembull vjedhjet e të gjitha formave, pavarësisht trendit në ulje si të shqiptarëve në Itali dhe në Shqipëri, statistikat duken më relative dhe jo afër realitetit. Gjatë vitit 2021, në Itali shqiptarët kanë kryer 2051 vjedhje. Aty, numri i shtetasve shqiptarë me qëndrim të rregullt në vitet e fundit është 410 000, kurse në Shqipëri janë kryer gjithsej 3508 vjedhje ndërkohë që zyrtarisht vendi ynë rezulton në shifrat 2.793.592. Për numër popullsie duket se shqiptarët me qëndrim në Itali kanë një numër shumë të madh vjedhësish sesa në vendin e tyre. Një diferencë kaq e madhe e numrit të vjedhjeve në raport me popullsinë tregon relativitetin e statistikave policore e për rrjedhim perceptimi për sigurinë nuk është real. Kjo, sepse nga këto statistika ka më shumë të ngjarë që në vendin tonë të raportohen më pak denoncime sesa vjedhje të ndodhura (dhe kjo jo vetëm për faj të Policisë). Pra, me përjashtim të vrasjeve, për krimet e tjera, statistikat policore janë më larg asaj që ndodh realisht.
Për vërtetësinë e këtij konkluzioni ekziston edhe një statistikë tjetër më domethënëse, e cila ka të bëjë me dhunën e ushtruar në familje. Duke bërë llogaritë midis rasteve të denoncuara për dhunë në familje sipas statistikave të bëra publike nga Ministria e Brendshme Shqiptare dhe ajo Franceze, rezulton se në Shqipëri gjatë vitit 2021 numërohen 6 raste për 1000 banorë kurse në shtetin Francez 57 raste po për 1000 banorë. Pra, dhuna në familje gjatë vitit 2021 në Francë ka qenë më shumë se 9 herë më e madhe se sa në Shqipëri. Aspak e besueshme. Ndryshe do të ishin francezët që do të vinin në Shqipëri e të kërkonin azil e jo shqiptarët në këtë vend. Duket qartë se raportimet për dhunë në familje në vendin tonë mbeten ende një problem dhe kjo sidomos për shkak të profilit maskilist të shoqërisë shqiptare në tërësi.
Ndaj dhe për të evidentuar dhunën si fenomen shkatërrimtar në shoqëri dhe në familje, Ministria e Brendshme franceze nuk u referohet vetëm statistikave zyrtare të Policisë dhe xhandarmërisë, por të dhënat e tyre pasurohen nga rezultatet e një procesi sondazhesh profesionale në gjithë territorin e vendit. Kjo sepse edhe në këtë vend, njëlloj si yni, jo të gjithë denoncojnë. Larg politizimit të zakonshëm që vihet re në trajtimin e temave të tilla nga tërë spektri politik i vendit, sociologët mendojnë se në morinë e statistikave të kriminalitetit që prodhojnë institucionet e sigurisë së një vendi, jo të gjithë ushqejnë frikën dhe ndjenjën e pasigurisë së qytetarit.
Është një gamë e gjerë e krimeve që në themel të tyre kanë përdorimin e dhunës. Kjo do të thotë që në rast se në vendin tonë numri i vjedhjeve dhe rastet e dhunës në familje për vitin 2021 (merren si shembull ilustrues statistikat e vitit 2021 pasi ato të vitit më pas ende nuk janë bërë publike, me përjashtim të vrasjeve të bëra nga Kryeministri) nuk janë të shoqëruara me sondazhe, ato nuk japin gjendje reale e për rrjedhim perceptimi publik kundërshton atë zyrtar të sigurisë në vend. Praktikat në disa vende perëndimore kohët e fundit tregojnë se organet e sigurisë së tyre i japin përparësi ndjekjes së krimeve me bazë dhunën e çfarëdolloji dhe kalojnë në plan të dytë krimet, të cilat sociologët i quajnë “dinake” dhe që nuk ngjallin frikë.
Në këtë kontekst, numri i vrasjeve përbën majën e ajsbergut të dhunës që prodhon shoqëria, edhe ajo shqiptare. Sfida për sigurinë mbetet matja dhe ulja në maksimum e dhunës në shoqërinë e një vendi sepse është ajo që ngjall frikën si burim të ndjenjës së pasigurisë. Nëse u referohemi dy ilustrimeve, në vendin tonë ka ende shumë e shumë punë për të bërë. Kryeministri ka përsëri të drejtë kur pohon se ende kemi shumë për të bërë. Dhe ky fakt ka rëndësi sepse siguria e jetës dhe e pronës së një individi nuk mund të jetë kurrë objektivi final i një qeverie që kur njeriu vendosi të jetojë në komunitet dhe jo i vetëm. Ndaj dhe garantimi i jetës së individit (pra, ulja maksimale e vrasjeve) në shoqërinë shqiptare si në gjithë shoqërinë njerëzore, është një minimum mbi të cilin qeveria fillon të ndërtojë standardet e plota të sigurisë së qytetarëve të saj, ku mbrojtja e jetës mbetet më bazikja, por tërësisht e pamjaftueshëm për të siguruar normalitetin e jetës së individit në një shoqëri me karakter demokratik.
Edhe në regjimet komuniste apo fashiste vrasja ka qenë dhe është një krim që dënohet, madje edhe me vdekje. As regjimi komunist e as ai fashist nuk kishin objektiv garantimin e sigurisë si kusht për ushtrimin e lirive themelore të njeriut, kurse në një vend demokratik siguria quhet e plotë kur çdo qytetar është i lirë, i zhveshur nga frika dhe nga nevoja. Në diktaturë, siguria është e kundërta e lirisë së individit dhe madje ajo sakrifikohet në emër të saj, kurse në vendet demokratike siguria është kusht paraprak i lirive themelore të njeriut. Pa siguri, nuk ka liri. Pra, dimensionet e sigurisë në një vend demokratik, janë të ndryshme nga ato të një vendi diktatorial apo hibrid si vendi ynë momentalisht.