Ky është momenti i arrestimit të 35 vjeçarit nga Lezha që u kap me arsenal armësh në makinë ndërsa qarkullonte nëpër qytet. Policia ka bërë me dije se ka sekuestruar arsenal armësh, municion luftarak, dylbi, antiplumb, helmetë, thikë, lëndë narkotike, rroba kamuflazhi ushtarake dhe sende të tjera.
Kanë qenë familjarët e të 35 vjeçarit që kanë lajmëruar policinë pasi e kanë parë duke futur armë dhe municione në furgon. Në makinë ka hyrë dhe e ëma, e cila në momentin e ndalimit është munduar ta mbrojë duke deklaruar se armët janë të sajat dhe se i dispononin pasi punonin me forcat e ushtrisë.
REAGIMI I POLICISË SË SHTETIT:
Lezhë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Lavazhi”. Parandalohet një ngjarje e rëndë kriminale. Sekuestrohen arsenal armësh, municion luftarak, dylbi, antiplumb, helmetë, thikë, lëndë narkotike, rroba kamuflazhi ushtarake dhe sende të tjera. Arrestohet në flagrancë 36-vjeçari që i mbante në automjet ndërkohë që qarkullonte në qytetin e Lezhës.
Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 1 armë zjarri pistoletë me 5 karikatorë, 1 automatik me 5 karikatorë, 550 fishekë luftarakë për pistoletën dhe automatikun, 1 palë dylbi, 1 antiplumb ushtarak, 1 thikë, 1 çantë ushtarake, 75 gramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis dhe rroba kamuflazhi.
Për shkak të sekretit hetimor, duke qenë se ngjarja është në hetim, nuk jepen detaje të tjera në lidhje me motivet dhe objektivin e synuar nga i arrestuari. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme procedurale.