Në Lushnje është goditur një grup që ushtronte veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, kultivonin dhe shisnin në doza kanabis dhe kokainë. Tre janë të arrestuarit, që u kapën duke qarkulluar me automjet.
Sekuestrohen 71 fidanë narkotikë, 1 kg lëndë narkotike kanabis, një sasi lënde narkotike kokainë e ndarë në doza, 2 peshore elektronike dhe 3 aparate celulare.
Të arrestuarit janë; S. L.(S). 28 vjeç, banues në fshatin Delisufaj, Lushnjë, V. M. 33 vjeç, banues në fshatin Toshkëz dhe E. H. 37 vjeç banues në fshatin Gjazë, Lushnjë.
Por si funksiononte grupi?
Tre të rinjtë u kapën në flagrancë, teksa qarkullonin me një automjet, me sasi lëndësh narkotike kokainë dhe kanabis, të ndara në doza, të gatshme për shitje.
Nga provat e siguruara si rezultat i hetimeve, ka rezultuar se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ushtronin veprimtaritë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike dhe të shitjes në doza, të lëndëve narkotike kokainë dhe kanabis, në qytetin e Lushnjës.
Vijon puna për identifikimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve të tjerë të implikuar në këto veprimtari kriminale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”.